Turdiu: Shqipëria, e dyta në botë që “dënon” Iranin! Rezoluta e panevojshme, pasi ne ishim në armiqësi që me sulmin kibernetik

Diplomati Gazmend Turdiu, i ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma u shpreh se Shqipëria është vendi i dytë në botë që miratoi një rezolutë të tillë ku pas SHBA-së dhe Izraelit, tashmë edhe Shqipëria e cilëson Iranin si një shtet që sponsorizon terrorizmin.

“Natyrisht që ky është një gjest politik, nuk ka ndonjë implikim ligjor dhe mbasi u miratua kjo rezolutë automatikisht gjenerohen pasoja, por i mbetet qeverisë që ta zbatojë këtë rezolute, duke e konkretizuar me masa reale, sanksione, bllokime dhe gjithçka mund të bëhen pas një vendimi të tillë.

Marrëdhëniet tona me Iranin nuk është se kanë qenë në aspekte ekonomike, por kanë qenë thjesht diplomatike.

Nuk bënim kurrë shkëmbime ekonomike të drejtpërdrejta me Iranin. Irani është një lojtar shumë i fuqishëm i atij rajoni, është një faktor destabilizimi shumë negativ, padyshim është një regjim barbar edhe kundër qytetarëve të tij, kujtojmë masakrën me mbi 50 mijë viktima në protestat e fundit.

Kur flasim për Iranin do të ishte sigurisht e mirëpritur ndryshimi i atij regjimi, dhe kujtojmë se ka dhe nja garë bërthamore.

Por a ishte kjo rezolutë e nevojshme? Sigurisht që ishte një gjest politik, por Shqipëria nuk ka asnjë lloj marrëdhënieje me Iranin që pas sulmit kibernetik dhe ne jemi në armiqësi me ta. Por çfarë shtoi kjo rezolutë? Asgjë!

Sot kemi dhe muxhahejdinët në vendin tonë dhe ne nuk kemi bërë kurrë një llogari se çfarë pasojash do të kishte mbi ne ai vendim për t’i strehuar”, theksoi diplomati Turdiu.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”

EMISIONET