Toska: Gjykata Kushtetuese ka rënë në duart e politikës, përgjithësisht mazhorancës
Komisioni i Venecias ka rrëzuar sot pretendimet e PS për çështjen Xhaçka, e cila dy herë ka refuzuar të zbatojë vendimet e kësaj gjykate për ta mbrojtur.
Opinioni me 15 faqe ja tregon qartë edhe një herë mazhorancës socialiste se Kuvendi duhet të zbatojë vendimet e kushtetueses si një kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës, ç'ka do të thotë se Olta e Parlamentit duhet të largohet.
Akoma më tragjikomike bëhet situata kur Holta e drejtësisë, pra vetë kryetarja e këtij institucioni bën sikur nuk i di ligjet. Edhe zonja Zaçaj po i drejtohet Venecias për ta pyetur se kur i mbaron mandati i saj.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj nuk pranon të largohet nga detyra. Thirrja e Gjykatës së Lartë që e ka emëruar në atë detyrë, për të deklaruar sot (10 dhjetor 2024) vakancën, u refuzua. Përmes një deklarate për shtyp, gjyqtarja Zaçaj tha se nuk do të largohet në 10 mars, por në fund të vitit 2025.
Zaçaj argumenton se data 10 Mars 2017, që i referohet datës në të cilën gjyqtarja Vitore Tusha ka mbaruar detyrën e saj, nuk është përcaktuese për përfundimin e detyrës së znj. Holta Zaçaj si gjyqtare pasuese dhe se do i drejtohet Komisionit të Venecias për interpretim.
Për të folur për këtë temë, i ftuar në emisionin "Ora e Betit", ishte gazetari Almer Toska, i cili u shpreh se:
"Unë mendoj se Gjykata Kushtetuese është një nga institucionet më të rëndësishme ku shpeshherë grupe të interesit të politikës po i drejtohen asaj për ti kërkuar ndihmën me vendimet që presin, në qoftë se i kanë kaluar të gjitha shkallët e gjyqësorit, të shohin dritën jeshile, ku mund të gjejnë "shpëtim" për betejat e tyre, kauzat e tyre politike, apo çështje nga më të ndryshme.
Unë mendoj që ndikimi në Gjykatën Kushtetuese nga politika hera-herës ka qenë dominant, e hera-herës ka qenë edhe në hije, pra nuk ka qenë i plotë. Aktualisht mendoj se Gjykata Kushtetuese ka qenë ajo kalaja e fundit që ka rënë në duart e politikës, përgjithësisht mazhorancës."