“Të mos nënvlerësojmë ndikimin rus në botën serbe”/ Rama “kapet” me ish-anëtarin e PE-së: Është Kosova, jo Kosovo!

Në një bashkëbisedim në auditorin e Institutin Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Chatham House, Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se marrëdhëniet në Ballkan nuk kanë qenë ndonjëherë më mirë.

“Duhet të sigurohemi që bashkimi në Ballkan kundër agresionit në Ukrainë të mos shpërbëhet, sepse kjo mund të na kthejë shumë shpejt në kohët e shkuara”, u shpreh Rama.

Ai tha se “Ballkani i hapur” është pjesë e një procesi të tërë nismash dhe hapash, pjesë e një transformimi të tërë që po përjeton Ballkani ditët e sotme.

“Ne absolutisht nuk duhet të harrojmë kurrë se jemi në pozitën më të mirë që kemi qenë ndonjëherë. Shqiptarët janë në pozitën më të mirë që kanë qenë ndonjëherë në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut. Kurrë nuk kanë qenë më mirë marrëdhëniet në Ballkan. Kemi një elefant në dhomë në çdo takim që kemi me serbët, që është mosmarrëveshja e madhe me Kosovën. Ka barrikada, ka ca njerëz të zemëruar, ka deklarata nxitëse, por pastaj i lënë dhe përparojnë. Gjithçka po ecën në drejtimin e duhur. I vetmi problem që kemi për të mos ta nënvlerësuar është ndikimi rus në botën serbe dhe në pjesën sllave ortodokse”, tha Rama.

Dhe për këtë, ai tha se “na duhet të mbajmë Serbinë nga ana jonë dhe na duhet të forcojmë marrëdhëniet me Serbinë dhe të sigurohemi që bashkimi në Ballkan kundër agresionit në Ukrainë të mos shpërbëhet, sepse kjo mund të na kthejë shumë shpejt në kohët e shkuara”.

Debati me ish-anëtarin e PE-së

Ai u pyet nga një ish-anëtar i Parlamentit Evropian për rolin e Shqipërisë në ndihmë të Kosovës. “Ne bëjmë gjithçka mundemi që t’i ndihmojmë, sigurisht që mirëpresim gjithçka që ata mund të bëjnë për ne për të na ndihmuar”, theksoi Rama.

Rama do t’i drejtohe ashpër më pas ish-anëtarit të PE-së. “Së pari nuk është Kosovo është Kosova, pasi Kosovo është mënyra sesi e thërrasin serbët kështu që ju avokatoni për pavarësinë e Kosovës dhe ju lutem e kërkoj me përulje nuk është faji juaj, pasi propaganda ka bërë punën e vet, pasi dhe unë ndonjëherë them Kosovo, por është Kosova”, tha ai.

Rama theksoi se, Shqipëria dhe Kosova janë njësoj dhe jemi një komb.

“Kosova nuk është vend mik, është një vend simotër, sivëlla, është gjithçka, pra ne jemi njësoj dhe për arsye të caktuara jemi një komb që jeton në dy shtete. Ne shqiptarët kemi dy shtete, 4 kryeministra në Ballkan diçka nuk duhet të funksionojë, por ja që kështu është. Ne bëjmë gjithçka mundemi që t’i ndihmojmë, sigurisht që mirëpresim gjithçka që ata mund të bëjnë për ne për të na ndihmuar. Ne jemi njësoj, thjesht kemi një kufi, kemi disa rregulla për të respektuar, por jemi njësoj”, u shpreh Rama.

I pyetur mbi bashkimin e dy vendeve, Rama tha se kjo është një çështje që i përket së ardhmes dhe jo momentit që flasim.

“Pjesa e jona në kuptimin e bashkimit, kjo nuk është diçka për sot, në të ardhmen gjithçka do të vlerësohet në bazë të integrimit të plotë midis të gjithëve ne në Ballkan, pikësëpari edhe në Evropë. Pra nëqoftëse Skocia do të largohet nga ju, imagjinojeni ne të bashkohemi me njëri-tjetrin. Duhet të shohim sesi do të shpalosen gjërat në të ardhmen. Për momentin është një shtet ndryshe, është një shtet i pavarur, një shtet etnik, duhet të jap garanci të plota jo vetëm për shqiptarët, por edhe për serbët e kështu me radhë.

Rruga është ajo e duhura, ajo e integrimit të plotë me BE-në dhe nuk mund të parashikoj të ardhmen. Mendoj që për momentin kjo nuk është, të flasësh për këtë temë nuk është t’i ndihmosh ata, por t’i dëmtosh dhe kushdo që flet për këtë duhet të tregoj shumë kujdes”, theksoi Rama.

edi rama kosova britania e madhe pe angli

EMISIONET