Takimi në Fier, Kryemadhi: Berisha na mësoi të mos kemi frikë të përballemi me krimin e shantazhin

Ditën e sotme në qytetin e Fierit u prezantua kandidati i koalicionit opozitar "Bashkë Fitojmë" për kryetar bashkie, Evdar Kodheli.
Në këtë takim mori pjesë edhe deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, e cila në fjalën e saj para qytetarëve se opozita do ta fitojë betejën e 14 majit.
Ajo tha se qytetarët përballen sot me vështirësi të shumta, ndërsa shtoi se vota e tyre do të jetë ndëshkuese për qeverinë.
“Sot ne prezantojmë kandidatin e opozitës për qytetin e Fierit. Suksese kryetar! E di që është betejë e vështirë, por me një ekip të mrekullueshëm, me demokratët e vërtetë të qytetit të Fierit unë jam e bindur që sfida juaj është e realizuar.
Jo për ju po për Fierin dhe për fierakët, për djemtë dhe vajzat e Fierit që sot janë larguar nga qyteti sepse nuk kanë punë, nuk kanë mundësi të zhvillojnë jetën e tyre, sepse sot në Fier ke vetëm pensionistë dhe të papunë, dhe djemtë dhe vajzat e qytetit të Fierit, bashkisë më të pasur të Shqipërisë, janë rrugëve të europës ku enden për të gjetur dhe ndërtuar një jetë më të mirë.
Sot ne kemi përballë një kandidat për kryetar bashkie që pazar për të mos u paraqitur përballë drejtësisë, që është Armando Subashi, i cili bën sikur ka bërë investime të mëdha, por kemi rafineritë e naftës të mbyllura, kemi naftëtarët pa punë, kemi turizmin që nuk ekziston fare, kemi biznese të cilat mbyllen përditë, kemi një bujqësi e cila shkatërrohet çdo ditë e më shumë për shkak të mungesës jo vetëm të fuqisë punëtore por edhe të subvencioneve.
Unë jam e bindur që kandidati ynë Evdar Kodheli i cili është financier, ekonomist do të bëjë dhe do të paraqesië planin më të mirë për bashkinë e Fierit, për atë që fjerakët meritojnë”, tha Kryemadhi.
“Ky qytet ka nevojë për ndryshimin e vërtetë që duhet të ndodhë në tërë Shqipërinë. Berisha a mësoi të mos kemi frikë të përballemi me krimin, mashtrimin dhe shantazhin dhe kjo është rruga për çdo të ri", deklaroi më tej Monika Kryemadhi.



