Spiropali ftesë Berishës: Pas 24 muajsh të vish e të shikosh zonjën Shkodër të zgjuar nga letargjia
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në fjalën e saj nga Foltorja e Kuvendt foli për zgjedhjet në bashkinë e Shkodrës në 14 maj.
Spiropali reagoi pas fjalës së Kreut të Komisionit të Rithemelimit në PD, Sali Berisha, të cilin e ftoi ta vizitojë Shkodrën pas 24 muajsh, të cilën, sipas saj, e mbajti peng për tre dekada për ambicien e tij personale, pasi pas 4 vitesh nuk do ta njihte atë sepse do të transformohet.
Spiropali: Ka një gisht që tundet kërcënueshëm prej së paku 57 vitesh në sytë e shqiptarëve. Për çerek shekulli, si gishti i komunistit sekretar partie dhe për 32 vite si gishti i kryetarit që mbajti grusht partinë e tij. Ky është gishti i Sali Berishës që kërcënon, akuzon e mashtron, premton të nxjerrë syrin e të tjerëve në interes të vetullave të tij. Si kurrë më parë i rikthyer në krye të një projekti personal për hall personal, Sali Berisha e udhëhoqi partinë e tij dhe gjysmën tjetër në një humbje që turpëron çdo disfatist dhe që e ka bërë çdo disfatë politike të kujtdo tjetër para tij, të ngjajë si fitore.
Sepse shpresa jote për rilindje ka perënduar një herë e mirë. Të refuzuan si kujtim të lig 95 % e shqiptarëve. Edhe një herë si përherë iu përule vesit dhe thirre në apel vesin tënd të vjetër të mos pranosh atë që e di e gjithë Shqipëria, por të thërrasësh si realitet dynjanë tënde paralele. Lumi i hershëm i justifikimeve të tua mediokre, tanimë një rrëke edhe më mediokre dhe një përrua psiqik që ndjell keqardhje, u derdh në të gjithë Shqipërinë për të përmbysur tryezën e rezultateve. Por kjo është humbja jote personale. Njeriu që ka mbajtur peng Shkodrën për ambicien tënde dhe për të shitur pushtetin tënd sa më shtrenjtë. Ne të lëmë një takim, nuk është sfidë, është ftesë, pas 24 muajsh të vish në Shkodër e të shikosh zonjën Shkodër të zgjuar nga letargjia ku dallkautllëku e padija e qeverisjes suaj e kanë lënë për 3 dekada. Nxito të vish se pas 4 vjetësh nuk do ta njohësh Shkodrën.