SEANCA MARATONË/ Kuvendi miraton “Paqen fiskale” dhe Buxhetin 2026! Ja sa do jenë paga minimale dhe bonuset për pensionistët
Kuvendi vijoi deri pas orës 01:30 një seancë maratonë diskutimin nen për nen të projektbuxhetit të shtetit për vitin 2026.
Debati mes mazhorancës dhe opozitës për projektbuxhetin 2026 po vijon përtej mesnatës, ndërsa deputetët po paraqesin amendamentet përkatëse.
Projektbuxheti për vitin 2026 është rreth 887 miliardë lekë, nga të cilat shpenzimet operative zënë vetëm 81 milionë lekë, prej të cilave 56,7 milionë lekë janë kategori të pacenueshme.
Për mazhorancën ky projektbuxhet vjen në një moment kur Shqipëria ndodhet në rrugën e integrimit europian dhe ka një qasje ambicioze, pasi vendos në qendër qytetarin, parashikon rritje të pensioneve dhe pagës minimale, si dhe mbështetje për zhvillimin e infrastrukturës.
Ndërsa opozita propozoi një sërë amendamentesh, të cilat sipas mazhorancës, “kërkonin rritje të konsiderueshme të shpenzimeve, duke rrezikuar objektivat e konsolidimit fiskal”. Për këtë arsye këto amendamente nuk u morën parasysh.
Fillimisht deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho prezantoi amendamentet për shtimin me 1.2 miliard lekë të buxhetit të arsimit universitar dhe 2 miliard lekë për arsimin bazë. “Ta bëjmë buxhetin e arsimit 5% të PBB-së”, tha Xhixho, duke prezantuar amendamentet e saj.
Në total PL paraqiti 12 amendamente mbi projektbuxhetin 2026, të cilat u rrëzuan.
Projektbuxheti për vitin 2026 mbështetet te rritja e të ardhurave buxhetore dhe një plan investimesh të orientuar drejt infrastrukturës, energjisë, arsimit dhe bujqësisë, ndërsa një vend të rëndësishëm i kushtohet politikave sociale.
Përveç indeksimit vjetor të pensioneve, parashikohet një fond shtesë për mbështetje të përkohshme për pensionistët me të ardhura të ulëta, me synim ruajtjen e fuqisë blerëse në kushtet e rritjes së çmimeve.
Në kuadër të reformës së pensioneve, qeveria synon të rrisë ndjeshëm nivelet aktuale. Sipas parashikimeve, pensioni urban me vite të plota pune pritet të arrijë deri në vitin 2030 në 40 mijë lekë nga 27 350 lekë që është sot; pensioni urban i pjesshëm në rreth 22 mijë lekë nga 15 850 lekë aktualisht; ndërsa pensioni rural në 18 mijë lekë nga 11 500 lekë.
Gjithashtu, pensioni familjar do të shkojë në 18 mijë lekë nga 11 400 lekë që është sot, ndërsa pensioni i invaliditetit parashikohet të arrijë 30 mijë lekë nga 20 mijë lekë. Efekti financiar i kësaj mase për vitin 2026 llogaritet në rreth 10,4 miliardë lekë dhe do të mbulohet tërësisht nga buxheti i shtetit. Për periudhën 2026-2030, efekti kumulativ i reformës së pensioneve vlerësohet në rreth 1,7 miliardë euro.
Projektbuxheti 2026 parashikon gjithashtu rritje të pagave në sektorë të ndryshëm të administratës publike. Paga minimale do të rritet me 10 000 lekë duke arritur në 50 000 lekë nga 1 janari 2026, një masë nga e cila pritet të përfitojnë rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe privat. Rritje do të ketë edhe për punonjësit mbështetës, mësuesit, mjekët, infermierët, punonjësit e rendit dhe ushtarakët.
MIRATOHET ME 75 VOTA PRO “PAQJA FISKALE”
Kuvendi miratoi me 75 vota pro projektligjin “Për marrëveshjen e paqes fiskale”, si dhe një sërë projektligjesh të tjera.
Deputetët miratuan fillimisht amendamentet e paraqitura nga deputeti i PS-së Taulant Balla.
Po ashtu në seancë u rrëzuan amendamentet e paraqitura nga deputeti i PD-së Enno Bozdo, sipas së cilit projektligji hap një “autostradë” të vërtetë për pastrimin e parave.
Deputetët rrëzuan edhe amendamentet e paraqitura nga deputeti i PS-së, Erion Braçe në kuadër të paqes fiskale.
Braçe tha se “pr/ligji i adresohet evazionit fiskal, pasi i jep mundësi atyre që kanë mashtruar shtetin me pasqyrat financiare dhe bilancet, të përfitojnë nga paqja fiskale.
“Propozimet thellojnë këtë karakter duke e ndarë projektligjin me mundësinë për të pastruar para. Secili prej këtyre propozimeve i bën mirë projektligjit në këtë aspekt”, shtoi Braçe.
Ndërsa deputetja e PD-së Jorida Tabaku u shpreh se ligji është antikushtues pasi hap një shteg për pastrimin e parave dhe cënon konkurencën.
Amendamentet, sipas Tabakut, synojnë kufizimin e dëmeve që mund të sjellë ky ligj. “Tre ditë më parë KE deklaroi se ligji ka probleme të rënda. Ky ligj jep favore speciale. I bëj thirrje presidentit që mos ta dekretojë këtë ligj. Nëse edhe kjo nuk ndodh PD do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese”, shtoi ajo.
Po ashtu, në seancë u rrëzuan edhe amendamentet e paraqitura nga deputetët Erlad Kapri dhe Agron Shehaj. Shehaj propozoi përjashtimin e subjekteve nën hetim apo të dënuar në fushën e krimit të organizuar dhe narkotrafikut si dhe të kompanive të individëve nën hetim për aktivitete kriminale.
Amendamenti synonte po ashtu edhe përjashtimin e investitorëve stategjikë dhe deputetëve nga Paqja Fiskale.
Në seancën e sotme plenare u miratua me 81 vota pro projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Deputetët rrëzuan amendamentin e paraqitur nga deputeti i PS-së, Erion Braçe, ku kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla deklaroi se amendamenti do të merret në shqyrtim në vijim me Ministrinë e Financave.
Po ashtu me 80 vota pro u miratua projektligji “Për disa ndryshime në ligjin ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”. Në kuadër të këtij ligji u paraqitën disa amendamente nga deputetët Erion Braçe, Jorida Tabaku dhe Enno Bozdo të cilat u rrëzuan.
Me 84 vota pro deputetët miratuan projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ”Për tatimin mbi të ardhurat”. Deputetët rrëzuan amendamentet e paraqitura nga deputetja e PD-së Jorida Tabaku, deputeti i PS-së Erion Braçe dhe deputetja e PD-së, Greta Bardeli.
Ndërsa projektligji “Për disa shtesa në ligjin ‘Për sistemin e taksave vendore” u miratua me vota 81 vota pro.
Deputetët miratuan me 84 vota pro dy amendamente të paraqitura nga deputeti i PS-së, Arbjan Mazniku që synojnë të çlirojë investimet publike nga taksa mbi infrastrukturë.
Deputetët miratuan po ashtu me 81 vota pro projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin ‘Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar.
Kuvendi miratoi me 76 vota pro projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.
Ministri i Financave, Petrit Malaj sqaroi se ligji njeh amortizimin e banesave në bazë të vjetërsisë dhe si rrjedhojë norma 5% është për ato ndërtesa që janë ndërtuar në vitin 2025, ndërsa për banesat e tjera do aplikohet edhe norma e amortizimit.
Ndërkohë u rrëzuan amendamentet e propozuara nga deputeti i PS-së Erion Braçe, si dhe nga deputeti i PD-së Enno Bozdo.
Deputetët miratuan me 73 vota pro projektligjin “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”.




