Rrezikon regjistrimin në KQZ, Shehu: Aventurë e rrezikshme e këtij regjimi, s'ka zgjedhje pa PD
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar se Partia Demokratike rrezikon të mos regjistrohet për garën e 14 majit për shkak të problemeve të saj të brendshme.
Por deputeti Tritan Shehu në një intervistë për Ora News e përjashton një skenar të tillë duke paralajmëruar se reagimi popullor do të ishte shumë i ashpër.
Shehu: Kjo është një aventurë tjetër e këtij regjimi shumë e rrezikshme, që do ta djegë atë brenda. Nuk mund të ketë zgjedhje pa PD, nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën shqiptare se PD është pjesa dërmuese e opozitës shqiptare. Çdo tentativë dhe çdo ngutje për ta përjashtuar padyshim do të sjellë reagime shumë të fuqishme. Nuk më shqetëson kjo gjë se nuk mund të ndodhë diçka e tillë se reagimi pastaj do të ishte jashtëzakonisht i ashpër dhe i fortë me këtë regjim. Ky është një moment që do të kalojë por kjo kërkon miobilizim popullor, reagim popullor dhe qëndresë popullore.
Një forcë e tillë tha ai do të tregohet dhe në protestën e 11 shkurtit.
Shehu: Kjo do të tregohet me 11 shkurt, ndoshta dhe përpara 11 shkurtit. Do të tregohet forca popullore për të treguar rivendosjen e parimeve, kolonave demokratike në Shqipëri.
Për ata që janë të shqetësuar se çfarë do ndodhë në protestën para Kryeministrisë, Shehu garantoi se nuk do të ketë dhunë.
Shehu: Në filozofinë tonë nuk është dhuna. Qëndrueshmëria është tjetër, përballja është tjetër. Këta janë elementë demokratikë. Të mos shqetësohet askush. PD nuk zbaton dhunë, nuk do të zbatojë dhunë. Përballja dhe qëndrueshmëria po, do jenë të fuqishme.
Deputeti komentoi edhe kërkesën e mazhorancës për përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të 8 deputetëve demokratë, përfshirë dhe vetë zotin Shehu.
Shehu: Është tentativë dhe strategji e vazhduehsme e kësaj mazhorance për tu mbyllur gojën deputetëve të opozitës brenda Parlamentit shqiptar.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.