Reforma territoriale, analisti Kikia: Me bojkotin, opozita humbi të drejtën për të qenë kritike

Mazhoranca vijon punën për reformën e re administrativo-territoriale pa praninë e opozitës, e cila ka zgjedhur bojkotin e komisionit të posaçëm.

Për analistin Mentor Kikia, ky është një vendim strategjikisht i gabuar, i cili i heq opozitës çdo të drejtë dhe legjitimitet për të kritikuar rezultatin final.

Në një analizë të situatës në "Ora News", Kikia rikujtoi dështimin e reformës së parë të vitit 2014, e cila sipas tij u shndërrua nga një reformë administrative në një "reformë elektorale" për shkak të bojkotit të opozitës së asaj kohe.

Ai argumentoi se harta u hartua jo për t'u shërbyer qytetarëve, por për të maksimalizuar votat e mazhorancës, duke dështuar totalisht në ofrimin e shërbimeve, veçanërisht në zonat rurale.

Sipas analistit, si pasojë e reformës së parë, pushteti u përqendrua në qendrat e bashkive të reja, duke i lënë njësitë administrative pa asnjë kompetencë dhe duke krijuar një hendek të madh mes qeverisjes vendore dhe qytetarëve të fshatrave, të cilët detyroheshin të udhëtonin për shërbimin më të vogël.

Kjo situatë, thekson ai, e bën një reformë të dytë "absolutisht të domosdoshme" për të afruar sërish shërbimet pranë qytetarëve.

"Për të theksuar rëndësinë që ka reforma administrative territoriale. Ajo nuk është thjesht një hartë për të ndarë numrin e bashkive apo për të ndarë qytetet me njëri-tjetrin.

Është absolutisht shumë e rëndësishme sepse harta administrative është çelësi kryesor për shërbimin që ofrohet tek qytetarët.

Reforma e parë administrative që çoi në reduktimin e qeverisjes vendore nga mbi 350 njësi, bashki dhe komuna, në 61 bashki, ishte një hap shumë i rëndësishëm për të mirëmenaxhuar qeverisjen vendore në shërbim të qytetarëve.

Kjo reformë e parë për shkak të bojkotit që bëri opozita, e cila ishte në të njëjtat kushte siç është sot, u shndërrua nga një reformë administrativo-territoriale në një reformë gati-gati elektorale sepse harta territoriale u vizatua, pra kufijtë e bashkive u përcaktuan jo në shërbim të shpërndarjes apo të ofrimit të shërbimit ndaj qytetarëve, por në shërbim të maksimalizimit të votës dhe për të nxjerrë një numër sa më të madh deputetësh në zona të caktuara.

Ajo që u konfirmua më pas ishte që ajo reformë ishte totalisht e dështuar, rezultoi e dështuar.

Monitorimet e kryera mbi mënyrën e ofrimit të shërbimit te qytetarët, dëshmuan se bashkitë e reja ku pushteti u përqëndrua vetëm në qytete, nuk ishin në gjendje të dërgonin shërbimet tek qytetarët.

Të marrim një bashki që ka përqëndruar të gjithë shërbimin ndaj qytetarëve në qendër të qytetit.

Janë mijëra qytetarë që jetojnë nëpër zonat rurale, të cilët edhe për shërbimin më të vogël do të duhet të marrin rrugën për të ardhur për ta marrë shërbimin pranë bashkisë.

Por edhe më keq, njësitë administrative që zëvendësuan komunat, të cilat u shkrinë me pretendimin se kanë buxhete, bëjnë tendera, vjedhin, abuzojnë, nuk dinë të menaxhojnë fonde, ka një numër të madh në punësish të cilët rrisin në mënyrë fiktive numrin e nënpunësve të administratës publike e të tjerë.

Çfarë ndodhi? Në njësitë, në njësitë administrative që zëvendësuan komunat, numri i të punësuarve jo vetëm që nuk u ul, por përkundrazi u rrit duke emëruar njerëz në mënyrë fiktive për arsye politike.

Dhe ajo që është më e keqja, në të njëjtat njësi, ku keq-mirë në kushtet e komunës, të cilën, kryetarin e të cilës qytetarët e zgjidhnin me votë, tashmë të emëruar si një nëpunës i bashkisë, administratori i njësisë administrative, duke mos pasur asnjë kompetencë, por ishte vetëm një i dërguar i kryetarit të bashkisë në njësi, nuk u afrua asnjë lloj shërbimi.

Po ju them vetëm një gjë fare të thjeshtë. Edhe nëse thyhej xhami i një shkolle do të duhej që të njoftohej bashkia qëndrore e cila përmes ndërmarrjes së saj të shërbimeve publike të shkonte të ndërronte xhamin e një shkolle në fshat, të cilin e thyen fëmijët duke lozur me top. Sepse njësia administrative nuk ishte asnjë qindarkë për investime qoftë edhe emergjente.

Kjo e vuri mënyrën e funksionimit të pushtetit vendor përballë sfidave të cilat gjetën zgjidhje më të thjeshtë, nuk ofruan shërbim për qytetarët.

Pra kjo është panorama në të cilën vendi futet në përpjekjen për të bërë një reformë të dytë administrativo-territoriale.

Dhe në këto kushte, mendoj që reforma është absolutisht e domosdoshme për të çuar shërbimin tek qytetarët dhe jo që të shkojë qytetari te shërbimi.

Për mua është absurde dhe deri tani nuk ka dhe një justifikim zyrtar se përse deputetët e opozitës e kanë braktisur komisionin e reformës administrative.

Atëherë, opozita është minorancë. Kjo dihet. Mazhoranca është shumicë dhe madje kjo mazhorancë aktuale është një shumicë më e fortë se asnjëherë tjetër. 

Sipas kësaj logjike, duke qenë se pavarësisht se çfarë do të thotë opozita, mazhoranca i miraton vetë ligjet, do të duhej të braktiste edhe parlamentin.

Sepse edhe në parlament pavarësisht kundërshtimit që mund t'i bëjë opozita, sërish mazhoranca i miraton ligjet. Atëherë ç'do opozita që shkon në parlament?

Prandaj po them unë që është, është absurde që të braktiset komisioni për reformën territoriale.

Opozita mund të mos ketë fuqi vendimmarrëse, fuqi vendimmarrëse që t'i imponohet mazhorancës, por mund të ishte aty për të bërë sugjerimet dhe vërejtjet e veta.

Dhe nëse mazhoranca nuk do t'i merrte në konsideratë, ekziston ai që quhet komunikim publik përmes të cilit opozita mund ta ndajë shqetësimin me opinionin publik duke thënë që ne propozuam këtë gjë, por këta nuk duan ta bëjnë kështu. Në mënyrë që nesër, nëse reforma do të dështonte sërish, pra do të prodhohej një ndarje tjetër administrative joefikase, opozita do të kishte gojë të drejtonte gishtin mbi fajtorin e vetëm që është mazhoranca. Por në kushtet kur e braktis, humbet çdo të drejtë për të qenë kritik", u shpreh Kikia.

EMISIONET