RAPORTI I PLOTË/ Berisha: E vërteta e “non-grata”-s, dhe korrupsioni transnacional i zyrtarëve si armë për të shkatërruar opozitën
Ish-kryeministri Sali Berisha ka hartuar raportin mbi gjetjet e tij lidhur me vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili 4 vite më parë e shpalli atë person “non-grata”.
Qëllimi i këtij raporti, thekson Berisha, është të paraqesë me prova, fakte e dokumenta të pakundërshtueshme, nga pozicioni i dëshmitarit, përdorimin e korrupsionit politik transnacional – korruptimin e diplomatëve dhe zyrtarëve të huaj nga qeveria shqiptare – dhe angazhimin e tyre në luftën kundër opozitës, për shkatërrimin e saj.
“Me datë 19 Maj 2019, Sekretari i Shteti Blinken më shpalli mua non grata pa asnjë provë, fakt apo dokument, Ky vendim vinte 8 vite pasi unë kisha dhënë dorëheqjen nga ҫdo funksion apo rol drejtues. Po atë ditë unë i drejtova atij një letër, në të cilën i shkruaja:
-Se vendimi i tij ishte politik dhe kishte në bazë lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe mbrojtësit të tij George Soros dhe,
-se në momentin që ai apo çdo qeveri tjetër në botë do të paraqesë një provë të vetme për korrupsionin tim, unë do largohem në mënyrë përfundimtare nga politika.
Me datë 21 Maj 2021, unë për të mbrojtur dinjitetin tim padita në gjykatën e Parisit për shpifje Sekretarin Blinken.
Më 21 Korrik 2022, Edi Rama deklaroi në parlament se unë nuk do të mund t’a kaloja më La Manshe-in. Tre orë më vonë, unë mora një letër konfidenciale nga ambasada Britanike, në të cilën Home Office më njoftonte se kishte vendosur përjashtimin tim nga Britania e Madhe, me akuzat për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, për të cilat unë paraqisja rrezik për sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar.
Menjëherë denoncova vendimin si vendim politik, i cili, njëlloj si vendimi i Sekretarit Blinken, bazohet fund e krye në gënjeshtra nga mediat e sponsorizuara nga Soros, si dhe trillime të kundërshtarëve të mi politikë Edi Rama, Erion Velia, e Lulzim Basha.
Gjer më sot, Departamenti i Shtetit nuk ka paraqitur asnjë prove, fakt apo dokument të vetëm për vendimin e tij pa baza. Kjo thjesht sepse ato nuk ekzistojnë.
Ndaj, këtu më poshtë, unë do t’u njoh me dokumentet që Home Office ka paraqitur për të provuar akuzat ndaj meje, gjatë procesit ligjor që ka nisur pas padisë sime. Këto dokumenta provojnë qartë se vendimi ka në bazë shpifjet dhe shtrëmbërimet e mediave të George Soros kundër meje, si dhe
deklarata të kundërshtarëve të mi politik, të serviruara si të vërteta tek Home Office, nëpërmjet korruptimit të ambasadorit britanik në Shqipëri, z. King Smith dhe paraardhësit të tij z. Norman Duncan.
Ndaj, përjashtimi im është një rast klasik i përdorimit me sukses nga qeveria e Edi Ramës të korrupsionit transnacional, për të sanksionuar kundershtarët politikë, shkatërruar opozitën dhe për të mbrojtur kësisoj, korrupsionin dhe lidhjet e tij dhe qeverisë së tij me krimin.
Sanksionimi im ka patur si qëllim madhor së pari, të zhvlerësojë dhe të bëjë të pabesueshëm një zë që ka denoncuar dhe denoncon, me shumë se kushdo tjetër, me dhjetra e qindra afera korruptive të qeverisë më të korruptuar në Europë, perfshi këtu aferat e mëdha si ajo e djegësave, Portit të Durrësit, të cilat janë denoncuar së fundmi edhe nga Parlamentit Europian dhe Departamenti i Shtetit.
Së dyti, sanksionimi është një mjet që kërkon të zhvlerësojë zërin që ka denoncuar përsëri më shumë se kushdo tjetër lidhjet e Edi Ramës dhe qeveritarëve të tjerë me krimin dhe kartelet e drogës në Shqipëri, Sinaloan e Meksikes dhe vendet e tjera në botë 43 si dhe kthimin e Shqipërisë ndër vendet e para në botë, sipas OKB, për prodhimin dhe trafikimin e kanabisit.
Prandaj, vendimi i pabazë i Home Office paraqet një rast tipik të përdorimit të sanksioneve, jo për të dekurajuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, por për hakmarrje tipike politike.
Së treti, korruptimi i ambasadorit King Smith dhe parardhësit të tij, njelloj si McGonigal, u përdorën nga qeveria si armë për shkatërrimin e opozitës dhe konsolidimin e regjimit monist të Edi Ramës në Shqipëri.
Shkatërrimi i opozitës është vrasja e shpresës dhe shkatërrimi i një shoqërie të lirë. Sot politikat e rregjimit të Edi Ramës, i kanë shndërruar shqiptarët edhe në vitin 2023 në boat people. Sipas Eurostat, gjatë viteve 2014-2021, 937000 qytetarë janë larguar nga Shqipëria drejt hapësirës Shengen”, shprehet ndër të tjera ish-kryeministri Sali Berisha.
Më poshtë lexoni të plotë versionin e shkurtuar dhe plotë të raportit të ish-kryeministrit Sali Berisha: