Rama: Nën Kalanë e Argjirosë, Gjirokastra është veshur kuqezi

Nën Kalanë e Argjirosë, Gjirokastra u vesh me drita dhe flamuj kuqezi për të përkujtuar Festat e Nëntorit, duke krijuar një atmosferë festive dhe krenarie kombëtare.

Festimet e këtij viti u zhvilluan në të gjitha qytetet e vendit, me drita, flamuj e dekorime kuqezi, koncerte, aktivitete kulturore dhe programet e nxënësve që sollën artin dhe traditën shqiptare në qendër të vëmendjes.

Kryeministri Edi Rama postoi nga Gjirokastra, duke ndarë emocionet e kësaj dite të veçantë: “Nën Kalanë e Argjirosë, Gjirokastra është veshur kuqezi”, shkroi Rama në një postim.

Ky moment simbolizon jo vetëm festimin e 28 dhe 29 Nëntorit, por edhe sakrificën dhe heroizmin e brezave që luftuan për lirinë e vendit, ndërsa qytetarët në të gjithë Shqipërinë morën pjesë masivisht për të festuar identitetin dhe vlerat kombëtare.

Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i udhëhequr nga Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë, një akt historik që vulosi aspiratat shekullore për liri dhe shtet të pavarur.

Nga ngritja e flamurit të Skënderbeut në Krujë më 28 nëntor 1443, te nënshkrimi i Aktit të Pavarësisë më 1912, kjo datë simbolizon qëndresën, unitetin dhe identitetin kombëtar.

Ndërsa sot Shqipëria feston 81-vjetorin e Çlirimit, njëkohësisht ditë kujtese e sakrificës sublime për mijëra të rinj e të reja që ranë heroikisht në emër të lirisë.

EMISIONET