Rama ndan pamje nga perëndimi në bregdetin e Borshit

Borshi, 17 km larg Himarës, vijon të tërheqë turistë të shumtë vendas e të huaj në stinën e verës. Kryeministri Edi Rama në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur” ndau në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Borshit, si një ftesë për t’u frekuentuar nga pushuesit.
Borshi nuk ka vetëm natyrën e bukur, detin, qiellin, gjelbërimin, por edhe shumë objekte kulturore dhe historike që tregojnë për hershmërinë e banorëve të kësaj zone.
Kështjella e Sopotit është një nga objektet kulturore të Borshit që gjendet në majën e kodrës së quajtur Kala. Pozicioni i kodrës, lejon kundrimin pa pengesa e një pamje të pakufizuar dhe njëkohësisht kontrollin e kalimeve Sarandë-Kuç-Vlorë.
Pozicioni i përshtatshëm gjeografik me ujërat e shumta ka favorizuar banimin e kësaj treve që nga lashtësia. Kalaja e famshme përmendet nga burimet bizantine dhe venedikase. Ajo përbën në fakt, një pikëmburojë të epokës helenistike dhe bizantine në një lartësi 250 metra dhe distancë nga deti rreth 3 km.
Në pjesën perëndimore të kodrës së Kalasë, në pjesën e brendshme që konsiderohet si vendndodhja e një qyteti antik, ruhen pjesë të një muri rrethues prehistorik. Në pjesën e brendshme të themeleve u gjenden mbetje trupore njerëzish (eshtra) që datohen se i takojnë Periudhës së Vonë të Bakrit.

