Rama: Lajthitje shtetërore mbajtja e 3 policëve të Kosovës në Serbi, të lirohen pa kushte! Letër të dytë Macron e Scholz

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat përsëriti edhe njëherë apelin për Serbinë që të lirojë pa kushte 3 policët e Kosovës.

Sipas tij nuk mund të ketë normalitet në marrëdhëniet mes dy vendeve pa lirimin e tyre. Më tej Rama tha se i ka dërguar një letër të dytë presidentit të Francës Macron dhe kancelarit Gjerman Scholz për të nxitur zbatimin e planit franko-gjerman.

Rama: Nuk mund të ketë normalitet në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi pa u liruar 3 policët e Kosovës. Mbajtja e 3 policëve të Kosovës në burg është lajthitje shtetërore!

Pardje i kam nisur një letër të dytë pas draft statutit presidentit Macron dhe Kancerlarit Scholz dhe Sharl Michel për domosdoshmërinë për një shtysë konkrete. Natyrisht dhe me mbështetjen e SHBA-së që plani franko gjerman të zbatohet medoemos.

Rama u shpreh se marrëdhëniet mes vendeve duhet të normalizohen dhe se do ishte fatale nëse kjo nuk do të ndodhte, duke e cilësuar këtë mundësi si një kthim mbrapa dramatik.

Ai vijoi më tej duke thënë se se situata mes Kosovës e Serbisë nuk favorizon asnjë fuqi, përveç Rusisë, ndërsa shtoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk i përket “as Albinit dhe as Aleksandrit”.

Rama deklaroi po ashtu se duhet t’i jepet fund lojës politike “Tomi dhe Xherri”, teksa u shpreh se “ata që flasin për vëllezër të mëdhenj e të vegjël” se procesi i paqes mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet shtyrë pasi nga kjo preket interesi kombëtar i Shqipërisë.

“Do të ishte fatale për atë që është bërë gjithë këto vite, me nisma e ndërveprime në Ballkan nën ombrellën e procesit të Berlinit. Një kthim mbrapa dramatik për krejt rajonin dhe të ardhmen e tij që nuk mund të mbeten peng i garës për elektorat as për ata në Kosovë e as në Serbi.

Marrëdhëniet duhet të normalizohen dhe njohja e ndërsjellët të bëhen de facto. Sa herë e duan politikat e brendshme sa në njërin apo në tjetrin breg fillojnë konfliktet, që vazhdimisht u kujtojnë të tjerëve se ky rajon është ai që mezi çdo ditë po përpiqet të heqë damkën e historisë dhe papritur rizgjohet në anën e gabuar.

Prandaj është e rëndësishme të kuptojnë të tërë që flasin për vëllezër të mëdhenj e të vegjël te ata që kërkojnë arsye për të mos pasur arsye për të shtyrë këtë proces se interesi ynë kombëtar si shtet kërcënohet nga kjo situatë.

Ky rajon nuk është as i Albinit, as i Aleksandrit. Rajoni është i shteteve e popujve në të. Kemi vuajtur boll nga nacionalistët, nacional-folkloristët dhe përplasjet e vazhdueshme që sot nuk kanë justifikim sepse jemi në mes të një Europe që kërkon të mbështesë paqen.

Kjo situatë i shkon për shtat vetëm Rusisë, asnjë fuqie tjetër. Nga këto përplasje dhe kjo paaftësi për t’u ulur me durim nuk fiton as Europa, vetëm Rusia.

Duhet të dalim nga kjo lojë politike “Tomi dhe Xherri” e të evitojmë skenarët e izolimit të Kosovës, por edhe Serbisë. Nuk janë të mira për interesin kombëtar të Shqipërisë që kërkon të përparojë dhe kërcënohet nga ato që ndodhin rrotull”, u shpreh ai.

EMISIONET