Rama: Kosova të përmbushë kërkesat e dialogut dhe t’ia lërë topin në derë Serbisë

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Shqipëria ka një kalendar shumë ambicioz me Komisionin Evropian për të përmbushur deri në 2027 të gjitha detyrat për të cilat është dakordësuar.
Gjatë intervistës për Deutsche Welle Shqip nga Berlini, Rama tha se “sfida është që të përmbushim të gjithë detyrat që ka ky proces”.
“Kemi një kalendar shumë ambicioz të dakordësuar me Komisionin Evropian për t’i përmbushur të gjitha detyrat brenda vitit 2027 dhe për ta vendosur Komision Evropian në pozicionin që t’iu thotë vendeve anëtare që Shqipëria i ka kryer me sukses negociatat.
Pastaj kemi parashikuar një tjetër 2-vjeçar për ratifikimin në të gjitha vendet anëtare mund të jetë më shpejt, por kemi vendosur maksimumin, prandaj kemi 2030-ën si një datë.
Nuk është një afat imagjinar ose një afat i vendosur nga dëshira, por i vendosur bazuar nga sa ju thashë”, tha Rama.
I pyetur nëse Shqipëria mund të anëtarësohet në BE e vetme si një shtet i rajonit apo në bllok me vendet e tjera, Rama tha se “kjo nuk është në dorën apo në dëshirën tonë”.
“Është e vërtetë, ne e kemi nisur nga shumë mbrapa këtë garë, këtë vrap. Tani jemi në pararojë, siç i quajnë ata vendet që janë në pozicionin më të përparuar, vendet pararojë. Së bashku me Malin e Zi gjasat janë që ne të jemi në këtë proces bashkë.
Për sa i përket vendeve të tjera, ato kanë disa probleme të një natyre tjetër, që duhen zgjidhur me patjetër.
Pra, asnjë nga ato vende nuk e ka veten në dorë, sepse Maqedoninë e Veriut e mban lidhur kërkesa e Bullgarisë për të zgjidhur një problematikë mes tyre, Kosovën dhe Serbinë i mban lidhur fakti i mosnjohjes së Kosovës nga Serbia, dhe Bosnja është një rast i komplikuar, i një natyre tjetër”, pohoi Rama.
I pyetur lidhur me raportet mes Kosovës dhe Shqpërisë dhe etiketimet e ndryshme në drejtim të tij, si “vëllai i Vuçiçit”, Rama tha se i mirëkupton të gjitha etiketat që i janë vendosur, sepse burojnë nga arsye dhe shtytje të brendshme që janë të lidhura me kujtime shumë të freskëta dhe të vrazhda të një kohe tejet dramatike, tragjike për popullin e Kosovës.
“Unë jam mësuar me këto dhe nuk kam asnjë shqetësim nga asnjë lloj etiketimi.
Raporti im është me të vërtetën dhe njerëzit me të cilët më besojnë. Ndaj, nuk është e nevojshme që të gjithë të jenë dakord me mua, apo të gjithë të pëlqejnë atë që bëj unë apo të gjithë të më besojnë mua. Kjo nuk ndodh, edhe sikur ta kërkosh.
Nga ana tjetër, unë nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë dhe nuk kam asnjë pishman për asgjë që kam bërë, sepse të gjitha i kam bërë nga interesi kombëtar dhe i Shqipërisë”, vijoi Rama.
“Sipas meje, Kosova duhet ta harrojë krejt Serbinë, në kuptimin që duhet të përmbushë në mënyrë unilaterale të gjitha kërkesat e dialogut dhe t’ia lërë topin në derë Serbisë, duke i thënë Evropës dhe vendeve të Evropës, dhe atyre vendeve që nuk e njohin akoma që: ja kush jemi ne, i përmbushëm, i firmosëm tani shkoni dhe merrjani firmën Serbisë”, nënvizoi Rama.
Ai shtoi se Kosova duhet të shkëputet totalisht nga Serbia dhe nuk duhet të jetojë me idenë e Serbisë.
Rama u ndal edhe te raportet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti duke pohuar se ka një marrëdhënie shumë miqësore në aspektin personal, ndërsa kanë dallime të pashmangshme në këndvështrime.
Rama tha se këto këndvështrime i ndajnë në mënyrë shumë të hapur dhe të drejtpërdrejtë, kur flasin ballë për ballë apo kur mbajnë qëndrime publike.
“Ndërkohë, në të gjitha aspektet e bashkëpunimit me Kosovën, flas në bashkëpunimin ndërshtetëror, ne kemi bërë goxha përparim dhe jemi duke punuar në një vepër madhore siç është hekurudha Durrës-Prishtinë”, pohoi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare u pyet edhe për raportet me Gjermaninë, si një prej shtyllave kryesore të Bashkimit Evropian.
“Ne kemi një bashkëpunim shumë pozitiv. Gjermania është vend i madh, ne jemi vend i vogël. Gjermania është qartësisht mbështetëse e rrugës sonë në anëtarësimin drejt Bashkimit Evropian dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, përfundoi Rama.

