Rama: Ambicie që brenda 2030-ës të kemi eksporte ushtarake të markës 'Made in Albania'

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se Qendra e re e Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes hap një tjetër faqe në modernizimin e Ushtrisë shqiptare.

I pranishëm në ceremoninë e organizuar me rastin e çeljes së kësaj qendre, Rama theksoi se ajo krijon kushte optimale për zhvillimin e teknologjive të reja, jo vetëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, po edhe në funksion të modernizimit të qeverisjes e të mbështetjes së sektorit privat.

Rama shprehu bindjen se falë teknologjisë së lartë dhe gjithë përmbysjes epokale të historisë njerëzore përmes teknologjisë dixhitale, inovacioni është bekim për një vend si i yni që vjen nga një prapambetje e thellë dhe duhet të bëjë çmos për të fituar kohën e humbur.

“Inovacioni na jep mundësinë që në një kohë të shkurtër të bëjmë kërcime të mëdha përpara, gjë që para 20 apo 30 vitesh do të ishte e paimagjinueshme.

Është një bekim që ne duhet ta marrim si një dhuratë të jashtëzakonshme të kohës në këtë pjesë të rrugëtimit tonë dhe duhet ta shfrytëzojmë me të gjitha fuqitë tona.

Çdo hap që ne hedhim në këtë drejtim na afron me një shpejtësi marramendëse me pjesën tjetër të botës së zhvilluar”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “sot po përpiqemi të nxisim inovacionin, të fusim teknologjinë dhe të transformojmë procese dhe të ndryshojmë një trashëgimi shumë të rëndë në aspektin institucional të këtij vendi”.

“Kjo qendër të cilës i bashkohet edhe Agjencia e re e Inovacionit dhe Ekselencës që ne kemi krijuar pikërisht për të pasur një forcë të brendshme lëvizëse në çdo dikaster qendror apo ministri është një bërthamë që premton shumë.

Në Shqipëri ka plot talente të cilave kjo qendër i referohet përtej kufijve të perimetrit të FA-së”, tha Rama.

Sipas tij, qëllimi është që Forcat e Armatosura dhe sistemi ynë i mbrojtjes të bëhet edhe një vatër e zhvillimit të teknologjisë.

“Duhet të shohim edhe shumë vende të tjera që tek tek sistemi i mbrojtjes kanë një burim jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe produktiv për gjithë zhvillimin teknologjik të vendit.

Po përgatisim platformën e re të zhvillimit të industrisë ushtarake.

Një platformë që sot është koha për ta përfshirë në të gjithë trupin legjislativ të republikës së Shqipërisë dhe pastaj mbi të për të nisur një valë investimesh në industrinë e mbrojtjes.

“Ambicie që brenda 2030 të kemi eksporte ushtarake të markës made in Albania.

Ushtria jonë të fillojë të pajiset edhe me mjete ushtarake të markës made in Albania. Jemi vend i vogël por kemi aleatë të mëdhenj", tha Rama.

EMISIONET