PS rrëzon kërkesat e grupit të PD, Bardhi: Kuvendi dyqan i Zotos dhe Mërtirit. Rama në hall
Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka deklaruar se është rrezuar kërkesa e grupi parlamentar demokrat për interpelancë urgjente dhe debat me mocion, për çështjen e inceneratorëve.
Ai tha se sipas Konferencës së Kryetarëve, nuk ka urgjencë për kërkesat e tyre. Bardhi tha se tashmë parlamenti është shndërruar në ‘dyqan personal i Zotos dhe Mërtirit’ dhe se po financohet arratia e tyre dhe e Arben Ahmetajt.
“Konferenca e Kryetarëve vendosi sot rrëzimin e kërkesës për interpelancë dhe për mocion me debat duke shfaqur në këtë mënyrë vizionin për shndërrimin e Parlamentin në një dyqan personal të Zotos dhe Mërtirin.
Fakti që dy mafiozë në arrati të inceneratorëve marrin pagesa çdo ditë për punë ta pakryera, nuk është një çështje urgjente për ta.
E kuptoj vështirësinë që ka Rama si person i përfshirë, koka e inceneratorëve për të dhënë shpjegime, por sado siklet dhe hall të ketë do duhet të respektohet Kushtetua.
Argumenti i tyre është se nuk ka urgjencë. Po financojnë arratinë e Zotos, Mërtirit dhe tani të Ahmetajt”, tha ai.
Nga ana tjeter, Zëvëndës kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Toni Gogu ka deklaruar për mediat se kërkesat e opozitës për interpelancë dhe mocion me debat me kryeministrin Edi Rama janë rrëzuar duke qenë se nuk shihen si çështje urgjente.
Gogu është shprehur se çështja e inceneratorëve, tashmë i ka kaluar drejtësisë dhe se nuk mund të prishen rregullat për një “urgjencë që nuk ekziston”, ka thënë ndër të tjera ai.
"I theksoj fjalët urgjente që i bashkonin pakicën e pakicës që kërkonin që ne të mblidheshim në seancën pasardhëse. Ne i dhamë pëlqimin kryetares. Çështjet që janë të ngjashme mund të bashkohen dhe të trajtohen bashkë.
Nuk dhamë pëlqimin tonë që këto çështje duhet të hynin në seancën ardhshme. Do të vendosë Kuvendi të enjten nëse ato çështje do të përfshihen në rendin e ditës apo jo. Ne besojmë fort se aty nuk ka përmbajtje. Tani është momenti i drejtësisë për atë çështje, kur ne hapëm rrugën e komisionit hetimor, i cili sot është në duart të drejtësisë.
Çdo veprim tjetër këto urgjencat janë ose brenda grupeve, por për Kuvendin e Shqipërisë mendoj se urgjenca janë pensionet, studentët, shërbimi mjekësor. Për këto arsye ne vendosëm që në seancën e ardhshme të caktohet. Nuk kemi asnjë lloj frike për të bërë debat. Besoj si parlamentar, janë çështje që po i heton drejtësia.
Kuvendi e ushtroi veprimtarinë e vet me një komision gjerë e gjatë. Nuk mund të prisheshin rregullat që kemi kërkuar bashkë të krijohet një urgjencë që nuk ekziston. Përmbajtja që ajo kërkesë ka nuk ka brenda asnjë urgjencë", u shpreh Toni Gogu.