“Si prind do të doja që fëmija im të merrte diplomën në dorë”, deputeti socialist me rezerva ndaj Ministrisë. Studentët e Mjekësisë kundër draftit
Paraditen e kësaj të marte u diskutua në Komisionin e Edukimit projektligji i qeverisë për punësimin e detyruar 5 vite, të studentëve të Mjekësisë.
Teksa studentët e pranishëm në këtë komision thanë se po trajtoheshin si kavje eksperimentale, në krahun e tyre ka qëndruar edhe deputeti socialist Eduard Ndreca.
Socialisti ka pasur rezerva të forta në lidhje me projektligjin, duke adresuar kritika kryesisht në drejtim të Ministrisë së Arsimit, që sipas tij duhet të kishte dëgjuar në tryeza konsultimesh studentët dhe grupet e interesit.
E megjithë rezervat, Ndreca tha se si pjesë e mazhorancës, ditën e enjte në Kuvend ai do të votojë protestuesit projektligjit.
Deputeti tha se mbajtja e diplomave për 5 vite nga Universiteti është një shkelje e të drejtave të studentëve, edhe për shkak se një pjesë e tyre mund të duan që të vijojnë specializimin jashtë vendit.
“Ne nuk duhet ta politizojmë këtë çështje, edhe unë kam pasur vërejtje për këtë projektligj, dhe ia kam bërë dje me dije Ministrisë. Ju jeni elita e këtij kombi dhe ne kemi shumë nevojë për ju, kemi nevojë për gjithçka që ju i jepni kësaj shoqërie. Edhe projektligji i Ministrisë është nxitur nga nevoja që ne kemi për ju, ajo që unë nuk bie dakord me Ministrinë është mungesa e një tryeze të hapur me ju. Jam shumë i bindur që ministria e arsimit duhet të ishte treguar më e hapur.
Ne na thuhet se ka pasur dy tryeza konsultimi me studentët, të cilat ju i mohoni. Fakti që këtu na vijnë disa studentë dhe na thonë që mungon diskutimi, ne atëherë duhet ta besojmë këtë dhe nuk kemi pse ta fshehim. Qeveria nuk e ka marrë këtë nismë thjesht për të bërë një projektligj, Ministria e Arsimit duhet të zgjidhë në raport me ju, që tju bindë me kushtet që ju kërkoni për të qëndruar. Unë e kam kundërshuar, ia kam thënë dhe ministres, që dua që ditën që fëmija im të diplomohet, ta shoh me diplomën në dorë.
Gjithçka që ka ardhur në këtë pikë, është për shkak të një mungese diskutimi mes palëve, fajin për të cilën e ka Ministria e Arsimit. Do vijë koha që ne të marrim të njëjtat masa, për inxhinierët, mësuesit, nëse nuk krijojmë kushte të përshtatshme punësimi, duke nisur me pagesat. Unë do ta votoj projektligjin si pjesë e mazhorancës, por e nderuara zëvendësministre, do ta votoj me bindjen se nuk po bëj krejtësisht gjënë e duhur”, tha Ndreca.
Nga ana e tyre, vetë studentët kërkuan nga deputetët mos miratimin e këtij drafti, ndërsa thanë se ata e duan vendin e tyre, por kjo formë që po ndjek qeveria ndaj tyre është e papranueshme.
Pavarësisht kundërshtive të studentëve të Mjekësisë, projektligji që i detyron ata që të qëndrojnë 5 vite në Shqipëri për të punuar, duke iu mbajtur diplomën në këmbim, pritet që të kalojë nesër në Kuvend.