"Protesta ishte paqësore", Bylykbashi: Të gjithë të ndaluarit do lirohen, veprimet tona vetëm në rritje
Të gjithë protestuesit e shoqëruar do të lirohen. Kjo ishte garancia që dha deputeti Oerd Bylykbashi pas daljes nga komisariati numër 1 ku bashkë me deputeten Vokshi dhe përfaqësuesin ligjor të PD-së u interesuan për personat e ndaluar.
Bylykbashi theksoi se ndalimet janë të paligjshme pasi protesta ishte paqësore.
Bylykbashi: Erdhëm në vijim të njoftimit që kemi për shoqërimet që janë bërë nga policia. Jeni dëshmitarë të një proteste madhështore të opozitës që dha mesazhe të jashtëzakonshme,një protestë paqësore por e qartë se nga sot e tutje fillon revolucioni demokratik që do të çojë në rrëzimin e Edi Ramës. Në këtë lëvizje të jashtëzakonshme politike është e drejta e çdo qytetari të marrë pjesë, të protestojë dhe të protestojë fort sepse nuk bëhet fjalë për thjesht para që mund të ketë futur në xhep x apo y ministër, por është përpjekja për të zhbërë pluralizimin politik.
Edi Rama këtë e ka nisur herët, McGonigal është përpjekja sistemike dhe sistematike e Edi Ramës për të vrarë opozitën shqiptare që të qeverisë dhe të vjedhë pas asnjë ndalim, gjykatën e ka futur në xhep, shtetin e ka në kontroll. Protesta e sotme është mesazh fillimi, të tjerat do të vazhdojnë. Ditën e hënë do të jemi atje, askush nuk mund të ndalojë protestuesit shqiptarë të kërkojnë të drejtën e tyre më themelore që me votë të rrëzojë një qeveri e cila i vjedh.
Sot protestuesit kanë dhënë një shembull të jashtëzakonshëm, Edi Rama nuk mund të përdorë forcën, represionin policor apo drejtësinë e kontrolluar prej tij që të trembë shqiptarët. Ky është mesazh i qartë dhe të gjithë ata qytetarë që mund të shoqërohen do të lirohen se do të jenë ndalime të paligjshme, siç janë provuar dhe në gjykatë rregullisht. Asgjë e paligjshme nuk ka ndodhur, ka qenë një protestë për të drejtën e tyre themelore kushtetuese, të drejtën e votës që të rrëzojnë një qeveri të korruptuar.
Ai shtoi se ditën e hënë do të jenë sërish në protestë para Kuvendit.
Bylykbashi: Ditën e hënë ne do të jemi atje për të protestuar. Edi Rama përpiqet të zhbëjë edhe parlamentin. Ne do të jemi atje për ti treguar se ai parlament nuk funksionon si noter i Edi Ramës. Veprimet tona do të shkojnë vetëm në rritje. Ose Edi Rama dorëzohet para të drejtës së shqiptarëve për të votuar dhe për ta shporrur me votë ose më pas shqiptarët do ti përgjigJen me format demokratike që i njeh të gjitha Kushtetuta.