“Prokurorët takime me McGonigal”, Berisha: Çdo gjë do bëhet publike nëpërmjet komisionit hetimor parlamentar
Kryetari Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët se edhe prokurorë të lartë shqiptare kanë pasur takime me Charles McGonigal. Sipas Berishës, të gjitha veprimtaritë kriminale do të zbulohen në komisionin hetimor dhe gjetjet do të dërgohen në Shtetet e Bashkuara.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se ish-agjenti i lartë i FBI-së McGonigal nuk ka takuar vetëm zyrtarë të qeverisë shqiptare, por edhe prokurorë të SPAK-ut.
Berisha: Them për prokurorë të SKAP-it, por i sigurt që s’janë vetëm ata. Çdo gjë do bëhet publike nëpërmjet komisionit hetimor parlamentar. Ai do jete autoriteti zyrtar që do informojë opinionin publik shqiptar dhe atë të SHBA-ve për veprimtarinë e McGonigal, bashkëpunëtorëve të tij në qeverinë shqiptare me në krye Edi Ramën.
Lidhur me komisionin hetimor që PD ka kërkuar për kryeministrin Rama, Berisha u shpreh se çdo deklaratë që do të jepet do të dërgohet edhe në SHBA.
Berisha: Jemi vendosur të informojmë komisionin hetimor në SHBA, për veprimtarinë kriminale, antidemokratike dhe antikushtetuese të McGonigal dhe të çdo diplomati që ka vazhduar veprën e zezë të shkatërrimit të opozitës.
Për zgjedhjet e 14 majit, kryedemokrati theksoi se po shihet mundësia qe edhe këshilltarët bashkiakë të kalojnë përmes primareve.
Berisha: Zgjedhja e tyre unë besoj se duhet të bëhet me primare. Natyrisht në këtë rast, komplikimet janë më të mëdha.
Berisha u zotua se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike do të zhvillojë referendum për reformimin e drejtësisë në mënyrë që siç tha ai sistemi tu shërbejë qytetarëve dhe jo mafias vendase e asaj ndërkombëtare.