Akuzat për dh*në ndaj protestuesit me epilepsi/ Lamallari: Sipas policisë janë pretendime të pavërteta, nëse AMP-ja i konfirmon do të ketë padi ndaj avokatit Serjani

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka hedhur poshtë deklaratat e avokatit Gentian Serjani se policia ka ushtruar dhunë mbi një protestues të arrestuar, i cili vuan nga epilepsia. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Lamallari shprehet se menjëherë pas deklaratave të bëra publike ka kërkuar informacion nga Policia e Shtetit, e cila, sipas tij, i ka bërë me dije se pretendimet janë totalisht të pabaza dhe të pavërteta.
Ministri shprehet më tej, se më pas Agjencia e Mbikeqyrjes Policore ka nisur menjëherë verifikimet mbi pretendimet e parashtruara duke administruar të gjithë informacionin e nevojshëm. Në fund, Lamallari thotë se nëse edhe AMP-ja arrin në të njëjtin përfundim, Policia e Shtetit do të referojë çështjen në Prokurori ndaj deklaruesit, në përputhje me legjislacionin në fuqi, si edhe do të kërkojë shqyrtimin e rastit në Dhomën Kombëtare të Avokatisë për përgjegjësi etike dhe profesionale të avokatit.
Reagimi i Lamallarit:
Duke marrë shkas nga deklaratat e bëra publike si në videon bashkëlidhur i kam kërkuar menjëherë Policisë së Shtetit informacion mbi pretendimet e rastit në fjalë. Policia e Shtetit më ka informuar se pretendime të tilla janë totalisht të pabaza dhe të pavërteta. Më pas Agjencia e Mbikeqyrjes Policore ka nisur menjëherë verifikimet mbi pretendimet e parashtruara duke administruar të gjithë informacionin e nevojshëm.
Por ndërkohë institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka vepruar kryesisht dhe pavarësisht prej Policisë së Shtetit duke i vizituar të ndaluarit për akte dhune, po ashtu nuk ka shtruar asnjë problem të kësaj natyre. Nëse edhe AMP-ja do të dalë në të njëjtat konkluzione Policia e Shtetit i lind e drejta dhe detyrimi jo vetëm për referimin në prokurori të deklaruesit sipas përcaktimeve ligjore në fuqi lidhur me përhapjen e qëllimshme të thënieve që nxisin urrejtje, por edhe për referimin në Dhomën Kombëtare të Avokatisë ku buron liçenca e një avokati të dyshuar për papërgjegjshmëri etiko-profesionale.

