Ç’po ndodh me Spiropalin? Jorgo: Përplasjet nisën me shtyrjen e Kumbaros në shkallët e Pallatit të Kongreseve

Karriera politike e Elisa Spiropalit, një nga figurat më të spikatura të Partisë Socialiste, është shënuar nga një ngjitje e shpejtë në hierarki, por edhe nga episode të diskutueshme që kanë lënë gjurmë në opinionin publik.

Në optikën e avokates Mirela Jorgo, rrugëtimi politik i Spiropalit është një histori ambicieje, besnikërie politike dhe përplasjesh publike.

Në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News”, të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, Jorgu u shpreh se ngjitja e saj fillon në vitin 2012, kur Spiropali mori drejtimin e Forumit Rinor Eurosocialist (FRESSH).

Pas ardhjes në pushtet të socialistëve në vitin 2013, ajo u emërua Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave. Ky post, megjithatë, u shoqërua me akuza mediatike për shpërdorim detyre. Largimi i saj nga ky pozicion u justifikua në atë kohë me një deklaratë publike ku shprehej se ishte në një moment për t’u përkushtuar rritjes së fëmijës, një lëvizje që u interpretua si një “dalje me lezet” nga skena pas polemikave.

Besnikëria dhe entuziazmi i shfaqur ndaj kryeministrit Edi Rama, i cilësuar shpesh prej saj si “Skënderbe”, konsiderohet si një faktor kyç në ngjitjen e mëtejshme të Spiropalit.

Kjo, sipas Jorgos, e ndihmoi të kalonte në poste të rëndësishme qeveritare dhe parlamentare, duke përfshirë atë të kryetares së Kuvendit dhe postin e ministres.

Megjithatë, mandati i saj si kryeparlamentare mbahet mend për një nga vendimet më të kontestuara në historinë e parlamentarizmit shqiptar. Spiropali firmosi përjashtimin e 60 deputetëve të opozitës nga një seancë plenare, një veprim i cilësuar si shkelje e normave të etikës dhe parimeve kushtetuese. Ky episod ngriti pikëpyetje mbi aftësinë e saj për të menaxhuar seancat parlamentare në mënyrë neutrale.

Një tjetër moment që tërhoqi vëmendjen e publikut ishte një incident në shkallët e Pallatit të Kongreseve, ku Spiropali u filmua duke shtyrë kolegen e saj, ministren Mirela Kumbaro. Në afërsi ndodhej edhe ministrja Belinda Balluku. Ky gjest u interpretua gjerësisht si një shfaqje e egos së fortë dhe një tregues i konkurrencës së brendshme mes figurave kryesore të kabinetit. Ndonëse u argumentua se pozicioni i saj si ministre e Jashtme në atë kohë e justifikonte vendndodhjen sipas protokollit shtetëror, mungesa e etikës dhe delikatesës në sjellje la një shije të hidhur dhe nxiti debate të shumta.

Ky incident, së bashku me të tjerë, hedh dritë mbi dinamikat e brendshme të pushtetit dhe sfidat që shoqërojnë një karrierë të profilit të lartë si ajo e Elisa Spiropalit.

Mirela Jorgo: “Elisa Spiropali ka ardhur në 2012-ën kur u zgjodhën, kur u bënë zgjedhjet atëherë për forumin, për forumin rinor të Partisë Socialiste, FRESSH-in, ka ardhur në krye atëherë, ka qenë në kufirin midis moshës që i takonte për të qenë si kryetare e FRESSH-it dhe moshës që kalonte si, domethënë e tejkalonte. Dhe në atë kohë ka marrë shumë vota.

Dhe menjëherë pas asaj, në 2013-ën pasi fitoi mazhoranca socialiste, e emëruan drejtoreshë doganash. Mirëpo në atë post, zonja Spiropali nuk është se doli e larë.

Domethënë pati, të gjithë e dimë në media dhe u artikulua që ka pasur shpërdorim të detyrës në atë periudhë dhe ajo doli me deklaratë dhe tha që unë jam në një moment për të rritur fëmijën. Domethënë doli pak a shumë me shumë lezet, duke e lënë postin e Drejtoreshës së Doganave dhe doli nga skena e doganave. Pastaj u mor, u la një farë pauze dhe heshti, por entuziazmi i saj dhe ajo pjesa e adhurimit për figurën e kryeministrit Rama, shpeshherë duke e quajtur Skënderbe, e bëri atë që të kalojë ato fazat e posteve me radhë, që nga kryetare e Parlamentit, me radhë ministre e jashtme, postet me radhë që i ka trashëguar.

Zonja Spiropali do mbahet mend si e vetmja kryeparlamentare që ka dëbuar në një seancë parlamentare 60 deputetë të opozitës, duke shkelur të gjithë normat e etikës në bazë të parimeve kushtetuese.

Asaj nuk i harrohet ajo, domethënë kjo tregon se ajo nuk ishte e zonja të menaxhonte seancat parlamentare, të paktën në një farë profili siç e ka pasur Lindita Nikolla.

Në momentin që ka ardhur fitorja e këtij mandati të kryeministrit Rama dhe kur ka qenë pjesa e publicitetit të qeverisë në shkallët e Pallatit të Kongreseve ku kanë qenë, ka qenë një incident ku zonja Spiropali ka shtyrë Mirela Kumbaron dhe aty në krah ka qenë edhe zonja Balluku.

Ka qenë shumë, ka qenë shumë arrogancë. Mungesa e etikës se si e ka shtyrë zonjën Kumbaro dhe delikatesa dhe pjesa e me shumë lezet që e ka marrë zonja Balluku Kumbaron, domethënë la shije të keqe në publik. Aty unë personalisht vura re që ishte një lloj konkurrence dhe një lloj ego shumë të fortë midis atyre treve”.

EMISIONET