PL propozon uljen e TVSH-së për shportën bazë / Xhixho: Kursime deri në 32,500 lekë në vit për familjet

Deputetja Erisa Xhixho ka prezantuar në një video të publikuar në Facebook iniciativën e Partisë së Lirisë për të ulur TVSH-në e produkteve të shportës bazë nga 20% në 5%.
Sipas saj, kjo masë do të lehtësonte ndjeshëm shpenzimet mujore të familjeve shqiptare, duke kursyer deri në 625 lekë në javë ose rreth 32,500 lekë në vit.
Propozimi synon të përballojë rritjen e kostos së jetesës dhe të mbështesë familjet dhe pensionistët që shpenzojnë pjesën më të madhe të buxhetit për ushqime.
Erisa Xhixho:
Mora në supermarket disa nga produktet kryesore të shportës, duke filluar nga vaji, qumështi, mielli, sheqeri, kosi, djathi, vezët, orizi dhe padyshim buka, e cila është produkti kryesor i familjeve shqiptare.
Në këto shpenzime, rreth 5,000 lekë, 20% është TVSH (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar). Në përllogaritjen e këtij shpenzimi, TVSH-ja është 830 lekë. Këto janë para që shkojnë direkt në buxhetin e shtetit, prandaj edhe rritet buxhetio.
Partia e Lirisë ka bërë një propozim në Parlamentin Shqiptar për ta ulur TVSH-në e produkteve të shportës bazë nga 20% në 5%, me qëllim që t’u vijë në ndihmë mijëra familjeve dhe të ulë koston e jetesës.
Nëse përllogarisim këtë shpenzim javor që kemi bërë sot, pra 5,000 lekë, duke marrë parasysh propozimin e Partisë së Lirisë për TVSH-në, ne do të kursenim 625 lekë në javë. Gjithashtu, do të kursenim rreth 32,500 lekë në vit.
Kjo është një iniciativë jo thjesht ekonomike, por edhe sociale, e cila do të ndihmonte mijëra familje që nuk arrijnë ta përmbyllin muajin.
Rreth 50% e buxhetit të familjeve shkon vetëm për ushqime.
Rreth 20% e buxhetit të pensionistëve shkon për ushqime.
Ndaj edhe në sondazhin e fundit të Barometrit të Ballkanit Perëndimor, shqetësimi i 72% të shqiptarëve është pikërisht kostoja e jetesës.
Me këtë iniciativë, ne u vijmë në ndihmë të gjithë shqiptarëve për të ulur koston e jetesës dhe për ta bërë jetën më të përballueshme për ta.

