PL depoziton projektligjin për uljen e TVSH-së! Xhixho: Qeveria nuk mori asnjë masë!

Zv.Presidentja e PL, Erisa Xhixho, gjatë konferencës për gazetarët prezantoi projektligjin e depozituar në Kuvend, për sa i përket uljes së TVSH-së për produktet bazë të shportës.

Xhixho theksoi se qeveria nuk mori asnjë masë për uljen e çmimeve me synim lehtësimin e familjeve në kohë inflacioni. Ajo tha se në këto kushte është e nevojshme që të hyjë politika fiskale.

Fjala e Zv. Presidentes së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho

Shqetësimi më i madh i qytetarëve shqiptarë sot është kostoja e dyfishuar e jetesës në 3-4 vitet e fundit. Shqiptarët shpenzojnë 40% të buxhetit familjar për ushqim dhe paguhen më pak se të gjithë qytetarët e BE-së. Çmimet në Shqipëri janë 50% më të larta se në Europë në vitin 2024, sipas Eurostat. Shqipëria ka fuqinë blerëse më të ulët në Europë, duke tejkaluar edhe Moldavinë dhe Ukrainën, pavarësisht se të dy këto vende e kanë pagën minimale më të ulët se vendi ynë.

Shqipëria aplikon sot një TVSH prej 20% për ushqimet e shportës, më e larta në rajon dhe ndër më të lartat në Europë. Ndërkohë, Kosova prej kohësh aplikon TVSH të reduktuar 8%, Maqedonia e Veriut – 5%, Mali i Zi – 7%, Italia –4% për bukë, qumësht, miell, Greqia – 6%.

Ndërkohë, ju ftoj të dëgjoni çfarë premtonte kryeministri në vitin 2013 për TVSH e ushqimeve të shportës.

Siç e dëgjuat vetë, në 2013, Kryeministri Rama premtonte 0 TVSH për produktet e shportës pra për bukën, qumështin, djathin, vezën ,vajin, miellin, orizin. Por premtim rezultoi një mashtrim në listën e gjatë të mashtrimeve elektorale që mbetën të tilla për 12 vjet me radhë. Asnjë masë nuk është marrë nga kjo qeveri për uljen e çmimeve për të lehtësuar familjet, por vetëm propagandë.

Të nderuar qytetarë,

Në kushtet e inflacionit të lartë të viteve të fundit dhe rritjes së kostove të jetesës, sidomos në ushqime dhe energji, bëhet e nevojshme që politika fiskale të ndërhyjë në mënyrë të drejtpërdrejtë për të ndihmuar qytetarët.

Prandaj Partia e Lirisë duke ndjere pergjegjesine per ti ardhur ne ndihme qytetareve ka depozituar në Parlament projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin e vlerës së shtuar në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”. Me këtë propozim ne kërkojmë që në nenin 1 të këtij ligji, të bëhet shtesa si më poshtë:

Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar prej 5 për qind aplikohet mbi mallrat ushqimore të shportës bazë.

Ne kemi bindjen se ulja e TVSH-së së çmimeve të shportës në 5% nuk është vetëm një masë ekonomike, por edhe një masë sociale. Dhe po flasim për çmimin e bukës, vezës, djathit, orizit, qumështit, mishit, vajit, perimeve e frutave, pra për produktet e domosdoshme në tryezën e çdo familjeje shqiptare.

Nuk flasim për jetë luksi, por për mbijetesë.

Pasi paga minimale në Shqipëri është jo vetëm më e ulëta në Europë, por dhe shumë më e vogël edhe në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor. Paga minimale në Shqipëri mbetet 40 mijë lekë, ndërkohë që Mali i Zi e ka 670 euro, Serbia 618 euro, Maqedonia e Veriut 584 euro, ndërsa Bosnjë-Hercegovina 511-660 euro.

Ndryshe nga Shqipëria, vendet e rajonit i kanë rritur pagat minimale edhe pas vitit 2023. Në Serbi, paga minimale është rritur me 34%, Mali i Zi i ka rritur me 25% dhe Maqedonia e Veriut me 20% etj.

Qeveria nuk ka mbështetur as pensionistët, të cilët me një pension mesatar 170 euro, nuk mbyllin dot muajin. Fuqia blerëse për një pensionist shqiptar është më e ulëta në Europë. 90% e pensionit të tyre shkon për ushqime, duke ua bërë të pamundur të mbulojnë shpenzimet e tjera si ilaçe, faturat energjie apo uji dhe shërbime të tjera.

Qeveria nuk ka rritur as pagën minimale, as pensionet, por është mjaftuar me indeksime qesharake për pensionistët. Si pasojë, barra e rritjes së çmimeve ka rënduar më shumë mbi ta dhe mbi familjet me të ardhura të ulëta. Kjo ka sjellë tkurrjen e konsumit dhe përkeqësimin e cilësisë së jetesës.

Zerimi i TVSH që Rama premtonte në 2013 për produktet e shportës jo vetëm që nuk është bërë në tre mandate qeverisjeje, por shtresat në nevojë nuk janë mbështetur as në kulmin e krizës së pandemisë, duke u lënë në mëshirë të vendimeve të Bordeve që u kanë shërbyer klientëve të qeverisë dhe në asnjë moment qytetarëve.

Ndërsa shqiptarët mezi ushqehen, qeveria pasurohet me paratë e tyre përmes TVSH-së. Rritja e çmimeve i ka shtuar të ardhurat në buxhet. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, prej janarit deri në fund të gushtit 2025 janë arkëtuar plot 499 miliardë lekë.

Pra qeveria pasurohet, ndërkohë që qytetarët varfërohen. Pra, shqiptarëve që paguhen më pak se të gjithë qytetaret në Europë, qeveria u ngarkon barrën e TVSH-së për ushqime shumë më të larta se ato të BE-së.

Ndaj projektligji që ne kemi propozuar do të bëjë të mundur uljen e çmimeve për konsumatorin fundor, rritjen e aksesit në ushqime cilësore, mbështetjen e prodhuesve dhe tregtarëve vendas në formalizimin e ekonomisë, uljen e kostos së jetesës dhe veçanërisht për familjet e reja. Rritje e sigurisë ushqimore me produkte të sigurta të vendit, harmonizimin me praktikat fiskale të vendeve të BE-së dhe rajonit.

Me këtë ligj, ne i japim sot mundësi kryeministrit dhe kësaj qeverie për të mbajtur një pjesë të premtimit që u bëri shqiptarëve 12 vjet më parë!

Kemi bindjen që ky ligj do të ndikojë direkt në lehtësimin ekonomik të familjeve shqiptare. Kjo masë është marrë edhe nga Italia së fundmi dhe shumë vende të tjera dhe ka ndikuar pozitivisht.

Ftoj deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ta mbështesin unanimisht këtë iniciativë që vjen në shërbim të uljes së kostos së jetesës për qytetarët tanë!.

EMISIONET