Pirdeni: Model i ri vendimmarrjeje në administratën publike, synojmë rekrutimin e profesionistëve

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, deklaroi sot se rritja e atraktivitetit të administratës publike dhe tërheqja e profesionistëve në fushat prioritare mbeten ndër objektivat kryesore të Qeverisë.

Në një konferencë me gazetarët, Pirdeni tha se administrata publike duhet të tërheqë jo vetëm kandidatë për pozicione vakante, por edhe profile profesionale të nevojshme për fazën e zhvillimit të vendit dhe procesin e integrimit evropian.

“Ne jo vetëm duam të rekrutojmë, por duhet të kemi edhe ata që duan t’i bashkohen administratës publike dhe të jenë pjesë e këtij rrugëtimi historik të Shqipërisë”, u shpreh Pirdeni.

Ajo bëri të ditur se aktualisht ka mesatarisht rreth 23 kandidatë për çdo pozicion pune në administratën publike, por theksoi se nevojitet forcimi i kapaciteteve në sektorët ku kërkohen ekspertiza të veçanta.

Sipas saj, Shqipëria po punon për evidentimin e profesioneve që janë në mungesë në administratë, me qëllim hartimin e një strategjie të dedikuar për rekrutimin e profesionistëve në fushat që lidhen me politikat publike dhe zbatimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian.

“Synimi është që, në një periudhë afatmesme, të rekrutojmë në administratën publike profesionistë përgjatë gjithë spektrit të politikave që duhet të mbulojmë sot si vend aspirant për anëtarësim në BE dhe nesër si vend anëtar”, tha Pirdeni.

Pirdeni theksoi se, krahas zhvillimit të talenteve, është punuar edhe për forcimin e kapaciteteve të brendshme të administratës, kontrollit dhe llogaridhënies.

Pirdeni u ndal edhe te projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, i miratuar një javë më parë në Kuvend, që synon të japë një ritëm dhe vendimmarrje të re në administratën publike.

Sipas ministres Pirdeni, ligji synon të standardizojë funksionimin e institucioneve publike, por edhe të sjellë një ritëm dhe model të ri vendimmarrjeje në administratën publike.

“Me hyrjen në fuqi të ligjit, çdo institucion në varësi të një ministrie do të duhet të ketë planin e tij të performancës. Në fillim të vitit, institucionet do të publikojnë objektivat, ndërsa në fund të vitit do të bëjnë publik raportin për zbatimin e tyre”, tha ajo.

Pirdeni vlerësoi se ky mekanizëm do të rrisë transparencën dhe llogaridhënien, veçanërisht për institucionet e varësisë, të cilat janë më pranë qytetarëve dhe ofrimit të shërbimeve publike.

Ajo shtoi se ligji parashikon për herë të parë një model të ri vendimmarrjeje në administratën publike. Përveç rasteve kur ligji e lidh vendimmarrjen me ministrin ose sekretarin e përgjithshëm, vendimet brenda një institucioni do të merren nga drejtori i përgjithshëm, si struktura më e lartë hierarkike që mbulon fushën përkatëse të politikave.

Sipas Pirdenit, ndryshimi synon deburokratizimin e administratës publike, përshpejtimin e vendimmarrjes dhe garantimin që vendimet të merren brenda strukturës përgjegjëse gjatë gjithë ciklit të politikëbërjes publike.

EMISIONET