PD me 14 kandidatë në zgjedhje, Alibeaj: Duam të ringrejmë të djathtën e vlerave dhe jo non gratave
“Frymëmarrje për Shqipërinë” është slogani që Partia Demokratike e kryesuar nga Enkelejd Alibeaj ka zgjedhur për garën e 14 majit.
Kryetari i komanduar i PD-së në konferencën për mediet shprehet se synimi është që në të ardhmen të kthehet në forcë e shumicës.
"E drejta, e vërteta edhe mund të vonojë por një gjë është e sigurt, do të triumfojë. E kemi detyrim jo vetëm për ekzistencën e PD, çuarjen para të këtyre kauzave, por për riprofilizimin e të djathtës në Shqipëri. E pastër ideologjikisht, qartësisht e orientuar drejt euroatlantizmit që mbron vlerat e munguara të demokracisë shqiptare."
Sa i përket votimeve vendore, ai thekson se përfaqëson të djathtën.
"Duam të tregojmë, të testojmë pse jo dhe të ringrejmë të djathtën e vlerave, të djathtën e jo-non gratave."
Me një listë të reduktuar kandidatësh, Alibeaj u shpreh se kjo erdhi nga presioni i kundërshtarëve.
"Nuk fsheha vështirësitë që PD kaloi në këtë një vit me agresionin që PD-së i është bërë nga PS, nga Edi Rama, nga Sali Berisha, nga Ilir Meta".
Sipas vendimit të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhje, Alibeaj do të garojë me 14 kandidatë për kryetarë të bashkive.