Pakënaqësi për Primaret?/ Alimehmeti: Para se të futeshim, e dinim procedurën. Duhen kapërcyer çështjet individuale
Kandidati i PD në Tiranë, Ilir Alimehmeti i ftuar në emisionin ‘’Ora e Betit’’ në Ora News u shpreh se për procesin e primareve në PD e kanë ditur të gjitha para se të futeshin se si do të ishte kjo procedurë dhe se duhen kapërcyer çështjet dhe të mos ngelet tek çështje individuale.
Alimehmeti: Primaret tashmë kanë mbi një javë që janë kryer kështu që është çështje e një procedure tonë se si i zgjedhim ne kandidatët e tani në KQZ janë regjistruar, janë listat zyrtare.
Reforma Zgjedhore është ajo që është, pra që i ndan këto jo listë e hapur jo listë e mbyllur.
Dhe patjetër lista e hapur është ajo që kuantifikon votën më shumë dhe që numërohet më shumë.
Por ne të gjithë jemi pjesë e një skuadre, pra PD pjesë e një skuadre, dhe skuadra o fiton e gjitha bashkë o humb e gjitha bashkë, nuk është se ka rrugë të mesme.
Nuk është se ka ndasi ku ishe në primare më shumë apo më pak, tani sytë janë drejt 11 majit.
Unë besoj tek ajo që është demokracia e drejtpërdrejtë, që njerëzit të shkojnë e të zgjedhin jo thjesht forcën por të shkojnë të zgjedhin ata që duan ti përfaqësojnë brenda forcës politike përkatëse.
Kam qenë më shumë për lista të hapura sepse garanton më shumë për opozitën një hapje e plotë.
Unë mendoj se demokracia duhet të jetë nga poshtë lart.
Udhëzimi i primareve ishte i qartë dhe parashikonte dy hapa.
Një hap të parë votimin dhe një hap të dytë më pas vendimin e kryesisë.
E kemi ditur të gjithë përpara se të futeshim në primare se si do të ishte kjo procedurë.
Në fund fare ishte tagri i kryesisë ai që vendosi dhe kryesia ka privilegjin gjithashtu merr edhe përgjegjësitë.
Pakënaqësi çdo proces ka.
Unë mendoj se duhen kapërcyer çështjet, mos ta mbajmë tek çështja individuale.
Opozita mendon për diçka kolektive, duhet të përfaqësojë një grupazh të madh, duhet të përfaqësojë interesat e shumë njerëzve që kanë shumë vite aty.
Është punë grupi dhe si grup duhet ta mendojmë.