Çollaku: Të bllokosh grandet, votë kundër bashkëpunimit me Gjermaninë dhe BE

Çollaku: Të bllokosh grandet, votë kundër

Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku deklaroi sot se “të votosh kundër e të bllokosh grandet (ndihmat) dhe projektet e qeverisë gjermane është të votosh kundër bashkëpunimit me Gjermaninë dhe me Bashkimin Europian”.

Në një reagim në rrjetet sociale Çollaku lidhur me votimin kundër të disa deputetëve të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik 2022 për projektin “Ekonomia qarkulluese për zhvillimin e qëndrueshëm urban në Shqipëri”, tha se “nuk ka asgjë opozitare këtu, të paktën për një opozitë demokratike properëndimore.  Për opozitat me frymëzime leniniste që po lindin mbase, por për PD kjo nuk do të ndodhë kurrë”.

“Të votosh si opozitë kundër bashkëpunimit me aleatët strategjikë është shërbimi më i madh që mund t’i bëhet Edi Ramës, pasi një opozitë e  izoluar e në konflikt me partnerët ndërkombëtarë është një opozitë e dobët”, tha Çollaku.

Çollaku u shpreh se “nëse për të fituar ndonjë biletë në rreshtin e 2 apo 3 të Rithemelimit apo të LSI (se rreshtat e para janë zënë) u duhet të hapin luftë dhe Gjermanisë sikundër SHBA dhe Britanisë..,Zoti ua drejtoftë mendjen dhe rrugën, pasi këtu ndahemi pa asnjë keqardhje me këdo’.

Marrëveshja me Gjermaninë parashikon dhënien e një grandi me një vlerë 5.6 milionë euro, që do të alokohet nga qeveria gjermane për mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për zhvillimin e instrumenteve ekonomike me ndikim në zhvillimin e qëndrueshëm, për sa i takon asgjësimit të mbetjeve në landfille në përputhje me direktivën e BE-së, edhe në 10 bashki të tjera të vendit.

EMISIONET