Tabaku: Rritja e pagës për gjyqtarët e Kushtetueses, s'kanë lidhje me reformën në drejtësi

Tabaku: Rritja e pagës për gjyqtarët e Kushtetueses,

Deputetja e opozitës, Jorida Tabaku e konsideron të pakuptimtë kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për rritjen e pagave për Gjykatën Kushtetuese, kërkesë e cila është depozituar në Kuvend.

Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku shprehet se Kushtetuesja nuk është një institucion në varësinë e qeverisë (aq më pak Ministrisë së Drejtësisë) dhe që mund të kishte ardhur në një rrugë komplet tjetër.

“Një kërkesë që vjen ndërsa në Kuvendin e Shqipërisë në ndërkohë ka një paketë ndryshimesh ligjore që pret për të plotësuar dhe mbushur disa boshllëqe që sistemi i ri i drejtësisë ka nevojë. Ndryshime të propozuara nga institucionet e reja të krijuara dhe partnerëve tanë që kanë investuar në Reformën në Drejtësi. Megjithëse institucionet në pikat e tyre për ndryshime kanë paraqitur dhe rritje pagash, Gjykata Kushtetuese në asnjë shkresë apo kërkesë të saj gjatë debateve mbi ndryshimet në fjalë nuk ka ngritur këtë shqetësim”, shprehet ajo.

Tabaku shton se kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë në emër të Gjykatës Kushtetuese për rritje page për anëtarët e kësaj gjykate nuk ka lidhje me paketën e ndryshimeve ligjore për Reformën në Drejtësi.

Ajo nënvizon se për ndryshimet ligjore të Reformës në Drejtësi jam plotësisht dakord dhe në mbështetje pasi ruan parimet e një sistemi të drejtë vlerësimi për të gjithë gjyqtarët dhe duke pasur parasysh dhe vështirësinë e tyre në punë.

Tabaku arsyeton se ndryshimet për rritje të pagës së Gjykatës Kushtetuese me propozim të qeverisë nuk kanë asnjë lidhje me Reformën në Drejtësi dhe cënojnë jo vetëm pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, por edhe logjikën e një sistemi hierarkie page që kanë këto institucione.

“Si institucion kushtetues, Gjykata Kushtetuese i dorëzon të gjitha kërkesat për buxhet në komisionin e ligjeve në parlament. Në teori nuk duhet të ketë varësi nevoje me asnjë institucion tjetër. Megjithëse Gjykata Kushtetuese ka një marrëdhënie të qartë me Kuvendin ajo prapë ka vendosur t’i bëjë një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë, pra ekzekutivit. I ka kërkuar qeverisë që t’i kërkojë kuvendit që t’i rritet paga anëtarëve të GJK. Kështu, qeveria që po propozon t’i rriten pagat Gjykatës Kushtetuese, duke cenuar rëndë si pavarësinë por dhe balancën e pushteteve”, nënvizon ajo.

Deputetja e opozitës shton se “reforma në drejtësi (ajo që i tundin flamurin sa herë i duhet) ka krijuar SPAK/GJKKO, për hetime/gjykime të korrupsionit e krimit të organizuar. Kjo gjykatë është ajo e cila për momentin po përballet me vendime që kanë lidhje me korrupsionin qeveritar, me krimin e organizuar e duke shënjuar rezultate që pak i kishin menduar”.

“Ato janë gjykatësit më të kontrolluar e monitoruar. Duke pasur këtë situatë kaq komplekse dhe mbi të gjitha dhe hierarkinë e pagave në këto institucione duket e padrejtë që Gjykata Kushtetuese të kërkojë vetëm për veten e saj përmes Ministrisë së Drejtësisë rritjen e pagave me 100% më të larta se sa gjyqtarët e GJKKO. Kjo është pandershmëri dhe mungesë serioziteti  pasi kështu prishen të gjitha parimet me te cilat është ndërtuar reforma në drejtësi”, ka deklaruar Tabaku.

EMISIONET