Marrëveshja për pensionet me Italinë, deputetja e PS-së: Zbatimi nis brenda 1 muaji. PS e hapur për dialog!
Deputetja e Partisë Socialiste, Dasantila Tahiraj, njëherësh anëtare e Komisionit të Medias dhe Arsimin, solli detaje të reja nga marrëveshja e firmosur pak ditë më parë mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për pensionet e shqiptarëve që jetojnë e punojnë në shtetin fqinj.
E ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, Tahiraj tha se brenda një muaji kjo marrëveshje do të ratifikohet si në Kuvendin e Shqipërisë, ashtu edhe në atë të Italisë.
“Shumë marrëveshje të tjera janë në proces dhe për shtetet nordike, sepse ne aktualisht ne kemi shumë shqiptarë nëpër botë të cilët ne duhet t’i mbështesim.
Edhe me Greqinë jemi në proces, janë zhvilluar dy takime deri më tani, por akoma nuk është konkretizuar dhe mendoj se realizimi i marrëveshjes me Italinë është një arritje shumë e madhe. Dhe ajo me Greqinë është e njëjta gjë dhe është mirëpritur nga shqiptarët që kontribuojnë atje.
Mungesa e një marrëveshje të tillë i rrezikon mospërfitimin e njohjes së kontributeve atje.
Marrëveshja nuk është se ka një kosto të mirëfilltë financiare, por me këtë marrëveshje nuk humbet kontributi i askujt.
Brenda një muaji kjo marrëveshje do të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë dhe po ashtu do të ndodhë dhe në Itali, dhe menjëherë do të hyjë në fuqi”, u shpreh Dasantila Tahiraj
Lidhur me zhvillimet në parlament, ligjvënësja socialiste u shpreh se në çdo rast konsensusi duhet të mbizotërojë mes palëve, kur bëhet fjalë për nisma dhe reforma të mëdha.
Ndërsa tha se ajo çfarë po ndodh aktualisht në Kuvend është thjesht dhe vetëm problem i vetë opozitës.