“Loja ka mbaruar”/ Tabaku: Shqipëria e harruar në shesh kundër pakicës në qeveri

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, ka reaguar pas protestës së zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke e cilësuar atë si mesazhin më të fortë politik që qytetarët i kanë dhënë qeverisë në vitet e fundit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, të shoqëruar me një fotografi të Kryeministrisë të rrethuar nga protestuesit, Tabaku u shpreh se pjesëmarrja masive në protestë tregoi se pakënaqësia ndaj modelit të qeverisjes është shndërruar në një reagim të gjerë qytetar kundër korrupsionit, privilegjeve dhe kapjes së shtetit.
Sipas saj, protesta nuk ishte thjesht një tubim politik, por një manifestim i qytetarëve që ndihen të përjashtuar nga një sistem që favorizon një pakicë në kurriz të shumicës. Tabaku theksoi se në shesh ishin të rinj që kërkojnë të ndërtojnë jetën në Shqipëri, pensionistë që kërkojnë dinjitet, familje që përballen me kostot e larta të jetesës dhe shtresa e mesme që, sipas saj, mban barrën kryesore të taksave pa marrë shërbimet dhe mundësitë që meriton.
Deputetja demokrate argumentoi se protesta ishte një reagim ndaj një sistemi që për vite me radhë ka prodhuar pabarazi ekonomike, emigracion dhe dobësim të institucioneve demokratike. Ajo akuzoi qeverinë se vijon të mbrojë interesat e një grupi të privilegjuar përmes ligjeve dhe politikave të hartuara në funksion të pakicës, ndërsa shumica e qytetarëve përballen me vështirësi gjithnjë e më të mëdha.
Në reagimin e saj, Tabaku ndaloi edhe tek përpjekjet e qeverisë për të delegjitimuar protestuesit pas përfundimit të protestës, duke i cilësuar ato si pjesë të një mekanizmi propagandistik që synon të shmangë përballjen me problemet reale të vendit. Ajo nënvizoi se besimi i qytetarëve nuk mund të zëvendësohet me propagandë dhe se pjesëmarrja masive në protestë tregoi qartë hendekun mes qeverisë dhe qytetarëve.
Tabaku lidhi gjithashtu situatën me zhvillimet e fundit në luftën kundër korrupsionit, duke kujtuar hetimet e SPAK-ut për një sërë çështjesh që lidhen me kontrata publike dhe partneritete publike-private, ndërsa kritikoi nismat e reja të qeverisë për favorizimin e investitorëve strategjikë.
Sipas saj, protesta e djeshme tregoi se shqiptarët nuk janë të gatshëm të pranojnë më një model qeverisjeje që prodhon privilegje për pakicën dhe kosto për shumicën.
Më poshtë statusi i plotë i deputetes Jorida Tabaku:
Game Over! Loja ka Mbaruar
Dje Shqipëria u derdh në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke dëshmuar se legjitimiteti moral i kësaj shumice dhe arroganca e kësaj qeverie kanë hyrë në fazën e fundit të tyre.
Një komb i tërë zbriti në shesh për t’i treguar pushtetit se sistemi i ngritur gjatë viteve të qeverisjes socialiste, me ligje të porositura, me kapjen e shtetit dhe me privilegje për një pakicë, ka prodhuar një Shqipëri më të varfër dhe një demokraci më të dobët. Një sistem ku interesat e pak njerëzve janë vendosur mbi interesat e shumicës.
Mbrëmja e djeshme ishte dëshmia më e qartë e asaj që mund të prodhojë liria. Një Shqipëri europiane nuk ndërtohet vetëm me dokumente dhe negociata, por me qytetarë të lirë që ngrihen për të mbrojtur vendin e tyre. Në shesh ishin shqiptarë të çdo bindjeje, krahine, profesioni e moshe, të bashkuar nën flamurin kuqezi dhe rreth një kërkese të vetme: largimin e një sistemi që ka humbur lidhjen me qytetarët dhe zhbërjen e ligjeve që e kanë ushqyer atë.
Folën ata që punojnë dhe nuk ecin dot përpara. Folën të rinjtë që duan të ndërtojnë jetën këtu dhe jo të largohen. Folën pensionistët që kanë punuar një jetë të tërë dhe sot numërojnë lekët.
Foli shtresa e mesme që paguan gjithnjë e më shumë taksa, ndërsa privilegjet shpërndahen gjithnjë e më pak.
Dje në shesh nuk ishte një parti. Dje në shesh ishte Shqipëria! Shqipëria që është lodhur nga korrupsioni. Shqipëria që është lodhur nga arroganca. Shqipëria që është lodhur nga një sistem ku ligjet shkruhen për pakicën dhe faturën e paguan shumica.
Por sapo dita e re nisi, mekanizmi i vjetër i pushtetit u vu sërish në lëvizje. Tabelat dixhitale të fletërrufeve dacibao filluan të ekspozojnë emra, biografi dhe histori personale të protestuesve. Rojtarët dhe nëpunësit e Pallatit të Ëndrrave u përpoqën të diskreditojnë qytetarët që kishin mbushur sheshin, sikur një qeveri e zhytur në korrupsion të kishte autoritetin moral për të gjykuar të tjerët.
E njëjta shumicë që shpenzoi fonde publike për të manipuluar perceptimin dhe për të ndërtuar makinerinë e saj propagandistike, sot përpiqet të shesë si legjitimitet atë që në fakt e ka humbur prej kohësh: besimin e qytetarëve. E njëjta që sot po hetohet nga SPAK për 50% të PPP-ve si të korruptuara.
Shqiptarët treguan dje se dinjiteti i tyre nuk blihet dhe nuk frikësohet. Se forca e qytetarëve të bashkuar është më e madhe se çdo aparat propagande, më e madhe se çdo teknikë e vjetruar e frikësimit dhe më e madhe se çdo përpjekje për të ndalur ndryshimin.
Dhe ndërsa qytetarët protestonin, qeveria vazhdonte të qeveriste për të njëjtët përfitues. Në heshtje, ajo depoziton për konsultim publik një projektligj që fal detyrime fiskale për investitorët strategjikë, të njëjtët që prej vitesh kanë përfituar privilegje.
Pasi kanë helmuar ekonominë me paratë e korrupsionit dhe krimit. Pasi kanë rënduar familjet shqiptare me taksa e kosto jetese. Pasi kanë shtyrë qindra mijëra të rinj drejt emigrimit. Sot kërkojnë t’u japin privilegje të reja po të njëjtëve njerëz që kanë përfituar gjithçka nga ky sistem.
Prandaj dje në shesh ishte Shqipëria e harruar. Shqipëria që punon, paguan taksa dhe nuk kërkon privilegje. Shqipëria që është lënë pas dore nga një qeveri që kujdeset vetëm për klientët e saj.
Kjo është një betejë mes shumicës së shqiptarëve që punojnë ndershmërisht dhe një pakice që pasurohet nga pushteti. Mes Shqipërisë së zakonshme dhe Shqipërisë së privilegjuar. Mes të ardhmes dhe një sistemi që ka mbaruar.
Dhe ajo Shqipëri dje i dha kryeministrit një mesazh të qartë:
Loja ka mbaruar.
