Kuvendi nderoi me një minutë heshtje ish-deputetin Harasani, Berisha: Ju e përzutë atë, kërkoni falje. Spiropali: Mos e ktheni në debat cinik

Kreu i PD-së Sali Berisha, pasi u mbajt një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të ish-deputetit të PS-së Andi Harasani, iu drejtua socialistëve duke u thënë se duhet të kërkojnë ndjesë se e larguan nga partia.
“Mendoj se aktet e nderimit duhet të jenë të plota dhe të sinqerta. Andis Harasani i përkiste një plejade politikanësh të ri.
E vërteta, i shkolluar mirë, i kyçur në proceset demokratike që në fillim , nuk mund të mohohet se ju e përzutë atë dhe duhet të kërkonit ndjesë, jo ju personalisht, por Rilindja e përzuri atë.
E kam nderuar me bindje të plotë për atë që thashë sepse një politikan që rininë ia kushtoi ndryshimit të Shqipërisë, e kam nderuar se mbeti socialist, besnik i atyre parimeve që besonte deri në ditën e fundit.
Një patritot, një njeri që nuk pranoi të bënte kurrë një kompromis me të keqen siç bëtë ju. Ju garantoj se përfaqësoj mendimin e mijëra socialistëve që e prisnin sot nga ju”-u shpreh Berisha.
“Largimi i një njeriu nga kjo botë nuk duhet të jetë objekt cinik diskutimesh partiake dhe elektorale.
U ngritëm në këmbë për të nderuar kujtimin e tij dhe i shprehëm ngushëllimet familjes së tij”-u shpreh Spiropali.

