Kuvendi miraton 9 projektligje dhe 1 projektvendim

Kuvendi miratoi sot me 73 vota pro dhe 1 kundër disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për të Huajt”, të cilat vijnë në përmbushje të detyrimeve ndërkombëtare, në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Gjatë prezantimit të këtij projektligji në Kuvend, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha tha se projektligji “vjen si pjesë e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Migracionin, që i jep fund një epoke dhe qasjes fragmentare dhe i hap rrugë një menaxhimi të integruar, efikas dhe më human të migracionit dhe kufirit”.
Një tjetër projektligj i miratuar sot me 73 vota pro dhe 1 abstenim ishte edhe ai “Për Zyrën e Rikuperimit të Aseteve”.
Po ashtu me 74 vota pro dhe 1 abstenim deputetët miratuan projektligjin “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”, i cili konsiderohet parakusht për nisjen e negociatave me BE-në.
Projektligji “Për kontrollin e kufirit shtetëror” u miratua me 74 vota pro. Gjatë prezantimit të tij para deputetëve ministri i Brendshëm Ervin Hoxha tha se projektligji luan një rol kyç në luftën kundër migracionit të paligjshëm, krimit të organizuar dhe trafiqeve ndërkufitare, duke fuqizuar kapacitete teknike operative dhe ligjore të forcave tona të rendit në pikat e kalimit kufitar.
Po ashtu Kuvendi miratoi me 74 vota edhe projektligjin “Për shëndetin e bimëve”, si dhe atë për “Për shëndetin e kafshëve”.
Me 70 vota pro dhe 4 abstenime deputetët miratuan projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për sportin”, të ndryshuar.
Kuvendi miratoi po ashtu me 71 vota pro dhe 1 abstenim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtimin dhe Zhvillimin, për financimin shtesë për “Veprimin e ofrimit të shërbimeve të përqendruara dhe gjithëpërfshirëse të përdoruesit””.
Gjatë prezantimit të tij në Kuvend, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla u shpreh se bëhet fjalë për një financim shtesë në vlerën e 76.9 milionë euro, që synon të mbështesë përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët, përmes zgjerimit të digjitalizimit edhe në nivel vendor.
Me 72 vota pro dhe 2 abstenime në seancë u miratua edhe projektligji “Për prodhimin, transportin, tregtimin dhe përdorimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme për transport”.
Në përfundim, deputetët miratuan me 73 vota pro edhe projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit me kohë të plotë pune të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, të ndryshuar”.

