Komisioni Europian “fshikullon” mazhorancën: E drejta e opozitës për Komisione Hetimore garantohet nga Kushtetuta
Komisioni Europian i ka kuashtuar vëmendje edhe refuzimit të Komisioneve Hetimore nga mazhoranca, që së fundmi ka shkaktuar kaos në punimet e Kuvendit.
Raporti i Komisionit Europian konstaton se e drejta e opozitës për Komisione Hetimore garantohet nga Kushtetuta.
Refuzimi i mazhorancës me argumentin që do ndryshojë ligjin për Komisionet Hetimore nuk qëndron për sa kohë ligji ekzistues është në fuqi.
“Gjatë periudhës raportuese, opozita kërkoi ngritjen e dy komisioneve hetimore, por mazhoranca i hodhi poshtë të dyja kërkesat, pavarësisht se e drejta e opozitës për të inicuar komisione të tilla garantohet me Kushtetutë.
Argumenti i mazhorancës në të dyja rastet ishte se është në shqyrtim një rishikim i ligjit për komisionet hetimore. Ligji aktual, megjithatë, mbetet në fuqi”, thuhet në Raportin e Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë në vitin 2023.