“Kodi i Omertas” Berisha: Në asamble Rama në krah kishte McGonigal dhe para tij ecte Ahmetaj

Edhe sot nga dritarja e shtëpisë së tij, Sali Berisha u shpreh se Edi Rama tek hynte në asamble, në krah kishte Charles McGonigal dhe para tij ecte Arben Ahmetaj.

Rama: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më vllazërore, mirënjohjen më të pakufishme ju qëndrestarëve, misionarëve të vërtetë të shpresës, dinjitetit, lirisë dhe shpëtimit të Shqipërisë. Ftoj qytetarët shqiptarë kudo që janë të ndalen për një moment në dy ngjarjet politike të ditës. Të ndalen, të hedhin sytë, të dëgjojnë fjalimet në rrugën e Shpresës, në rrugën e fitores, lirisë.  Të shikojnë fytyrat, entuziazmin besimplotë të misionarëve të rrugës së Shpresës.  Dhe pastaj të ndjekin mesazhet e oratorëve të mrekullueshëm nga ky parlament i fjalës së lirë, dhe të kthehen në ngjarjen e paradites.

Në asamblenë e kalbësirës që quhet Rilindje. Të ndalen për një moment hap pas hapi, të analizojnë këtë asamble, e cila do të shkruhet me germat më të zeza në histori si asambleja film tipike e një organizate kriminale. Edi Rama tek hynte në asamble, në krah kishte Charles McGonigal. Para tij ecte Arben Ahmetaj, gazetarja e pyet, e len pa gojë e len pa mend, nxihet dhe ikën. Ndalni pak. Mos harroni këtë asamble. Cilat qenë dy anët e saj të dashur qytetarë.

Për ju, për shqiptarët, socialistët, papartitë, asambleja ishte një heshtje varri, sepse Edi Rama përdori ndaj qytetarëve shqiptarë, kodin e omertas, kodin e mafias, sipas të cilës anëtarët janë të betuar të mos çelin gojën, se përndryshe i pret plumbi pas veshit. Asgjë nuk pipëtin. Nuk kishte më fjalime për inteligjencën artificiale, as për hidrogjenin e Bulqizës, apo metanin e Shpiragut. Jo, jo, kishte omerta, omerta, omerta. Në 5 orë mbledhje, qytetarët shqiptarë mësuan se akuzat e Arben Ahmetaj ishin 100% të vërteta. Se ajo heshtje vdekësore, vetëm sa konfirmoi një për një ato akuza të tmerrshme.

Arben Ahmetaj në të vërtetë në intervistën  e tij certifikoi të gjithë vërtetësinë e akuzave të opozitës, se Edi Rama është autori kryesor i djegësave në Shqipëri. Se Erion Veliaj është pronari i djegësit të Tiranës. Arben Ahmetaj dëshmoi para shqiptarëve se vetingu është një akt fund e krye politik, se drejtohet me mesazhe dhe dokumente false dhe se u bë me gjah shtrigash. Ai u tha shqiptarëve se kreu i ekzekutivit ka kryer veprime të llahtarshme, ndaj dhe omerta, sepse të llahtarshme për çdo njeri normal janë aktet e vrasjes, pengmarrjes, detyrimit me forcën e armëve për ti kryer një akt kriminal tjetrit.

Në rastin e Ramës, me avion privat në dispozicion jashtë çdo kontrolli, janë dhe mund të jenë baulet me tonelata drogë, pasi siç thotë Ahmetaj është arkitekti i kanabizimit të Shqipërisë, ose baulet me narkoeuro, ose kontot bankare të ofshore.  Mos harroni se në 2014 u akuzua  nga OSBE-ja se ka 200 mln euro ofshore. Pra llahtari këto mund të jenë, ndaj dhe kodi i mafias për qytetarët shqiptarë. Arben Ahmetaj e akuzoi Edi Ramën se i ka kërcënuar në mënyrën më të rëndë në kryesi, dhe më pas janë kërcënuar fëmijët, familja. Asnjë anëtar kryesie nuk doli ta mohojë. Të gjithë i pranuan me heshtje denoncimet e Ahmetajt. Kjo ishte asambleja për qytetarët.

EMISIONET