Rama pas mbledhjes së Asamblesë së PS-së: Në zgjedhjet e ardhshme do marrim fitoren më shembullore

Pas pesë orësh punime ka përfunduar mbledhja e Asamblesë Kombëtare e Partisë Socialiste. Gjatë punimeve të Asamblesë u analizua puna e drejtuesve politikë të qarqeve, duke realizuar dhe një përmbledhje të punës së bërë mbi detyrat e lëna gjatë Asamblesë së dhjetorit 2023.

Kryeministri, njëherësh kreu i PS-së, Edi Rama iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur me zhvillimet brenda Asamblesë duke u shprehur: “ne dëgjuam shiun që rridhte me furi, por nuk ra gjë brenda. Ne kemi bërë një mbledhje të gjatë me diskutime të shumta me shumë anëtarë të asamblesë. Ishte një mbledhje pune, ku ka ballafaqime me fakte, me opinione të mbledhura nga një punë kapilare e realizuar më të gjithë strukturën deri tek votuesi”.

“Të gjithë këto janë diskutuar, por nëse mund të flasim për kritika, do të thosha që ka patur një qasje vetë kritike nga të gjithë së bashku, duke nisur nga unë i pari. Mos i besoni shumë se si rrjedhin gjërat, duhen verifikuar në burim. Reflektimi në burim, jam me sekretarin e përgjithshëm për të informuar, që jemi shumë të kënaqur nga kjo mbledhje, pasi kanë dalë shumë gjëra, për të marrë parasysh. Kemi miratuar dhe planin e veprimit për periudhën 15-shkurt-15 mars kur nisin zgjedhjet në të gjithë organizatën tonë politike. Në 16 mars mbledhim asamblenë kombëtare në Durrës. Më pas do të rihyjmë në proces për zgjedhjet që shikojmë të përfundojnë më 15 prill dhe nga 15 prilli do të nisim në procesin e zgjedhjeve një anëtarë një votë, që do të zhvillohet në qershor. Sipas parashikimeve jemi aty ku duhet, qëllimi është që zgjedhjet e ardhshme të marrim fitoren më shembullore të gjithë proceseve zgjedhore të realizuara deri më tani”, Rama.

“Në këtë proces kanë marrë pjesë mbi 55 000 anëtarë organik”, vuri në dukje Rama.

“Do të shikojmë deri në fund të procesit, pasi s’kemi nxituar me anëtarësime të reja. Është dashur të bëjmë njëherë një skanim objektiv të situatës në territor, ka patur anëtarësime të reja, por s’ka qenë ky objektivi i kësaj faze. Faza e muajit të punës mes shkurtit dhe marsit, është faza ku do merremi konkretisht dhe me anëtarësimet e reja”, tha Rama.

“Unë kam pakënaqësi për çdo gjë që bëj vetë, çdo gjë që bënë qeveria, pasi pakënaqësia na çon përpara, pa pakënaqësi do të thotë se s’kemi ç’ti japim më këtij vendi. Shyqyr që kemi pakënaqësi dhe që jetojmë me nevojën të jemi të tillë, që ta çojmë përpara këtë vend, ndryshe s’kemi më funksion”, thekson Rama.

“Për qytetarët mos u shqetësoni. Duhet të jemi shumë të sigurta dhe sigurt që leximin e opinionit të qytetarëve dhe ne dimë ta bëjmë më mirë se të tjerët. Prej vitesh e kemi lexuar opinionin e qytetarëve më mirë se të tjerët, madje kemi dhe instrumente shkencorë, anketime të rregullta për opinionin e publikut për çdo çështje. Kemi realizuar fokus grupe , për të kuptuar se çfarë presin për nga, çfarë kritikash kanë…etj. Për qytetarët mos u shqetësoni, pasi janë të qartë”, tha Rama.

“Unë e kam thënë dhe e përsëris, qytetarët janë politikisht një bashkësi jashtëzakonisht e interesuar dhe jashtëzakonisht me nuhatje, dinë shumë mirë ti ndajnë broçkullat nga thelbi. Pyetja që më bëni është pyetje e tepërt, e kotë, që ka vetëm një përgjigje, unë s’komentoj, ne si Parti Socialiste s’komentojmë çështje që lidhen me drejtësinë”, tha Rama

“Të gjithë ata që kanë punë me drejtësinë, ndjehen viktima të forcave të errëta apo forcave të tjera, nuk është fare punë për mua apo për PS ta shpjegojmë këtë fenomen. Hallet e çdokujt me drejtësinë. ti zgjidhin vetë”, tha Rama.

“Unë e kam thënë që në fillim kur u nis reforma, që objektivi ishte të që drejtësia të ishte jashtë influencave të qeverisë. Por e dimë që këtë objektiv e kemi arritur, por nuk është një gjë e pakthyeshme, prandaj ne duhet të vijojmë përpara për ta forcuar edhe më tej këtë”, nënvizon Rama.

“PS ka të qartë pozicionin e saj. Është detyra jonë që drejtësisë ti japim të gjitha mundësitë të bëjë punën e vetë, e pa shqetësuar nga ndikimi, madje as të pa shqetësuar nga komentet e atyre që përfaqësojnë PS”, tha Rama. Ai shtoi se fitorja e mandatit të katërt duhet të jetë më shumë dhe më shembullore se e çdo mandati tjetër.

EMISIONET