Këlliçi dhe Bylykbashi denoncojnë në Kongresin Amerikan "skandalin e korruptimit të agjentit të FBI nga Edi Rama"
Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale të 14 majit, Belind Këlliçi, i shoqëruar edhe nga deputeti demokrat Oerd Bylykbashi vijojnë takimet në Kongresin Amerikan.
Gjatë një takimi që zhvilluan me Kongresmenin Republikan Michael Guest nga Mississippi kanë denoncuar dhe skandalin e korruptimit të agjentit të FBI-së Charles McGonigal nga Edi Rama.
“Bashkë me Oerdin u takuam me Kongresmenin Republikan Michael Guest nga Mississippi.
Diskutuam gjerësisht rreth çështjeve aktuale si Sundimi i Ligjit dhe Zgjedhjet Lokale të 2023.
E informuam Kongresmenin rreth krizës në vend dhe kapjes së sistemit politik dhe atë të drejtësisë nga partia në pushtet.
Gjithashtu patëm mundësi të flisnim edhe për skandalin e korruptimit të agjentit të FBI McGonigal nga Edi Rama.
Takimi u mbyll me mbresat më të mira dhe me besimin se Shqipëria do të dalë shumë shpejt nga ky udhëkryq”, shprehet Këlliçi në një njoftim të shkurtër përmes rrjeteve sociale.
Më herët kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale të 14 majit zhvilloi dhe një takim me kongresmenin amerikan John Moolenar, ku bëri me dije se në takim është diskutuar në lidhje me zgjedhjet lokale në Shqipëri dhe rëndësinë që ato kanë për vendin, korrupsionin dhe aktualitetin politik në vendin tonë.