INSTAGRAMI AKUZOHET SE KRIJON VARËSI/ Meta Platforms përballen me akuzat, nis gjyqi i bujshëm në SHBA
Në SHBA ka nisur një proces gjyqësor ndaj kompanisë Meta Platforms, e akuzuar se Instagrami është krijuar për të shkaktuar varësi dhe ka dëmtuar shëndetin mendor të të rinjve. Meta i mohon akuzat, ndërsa në rast humbjeje rrezikon gjoba dhe ndryshime të detyruara në platformë.

META PLaform, kompania që kontrollon disa nga rrjetet sociale më të përhapura në botë po përballet me një proces gjyqësor në Tenesi, ku autoritetet e akuzojnë se mënyra e ndërtimit të Instagramit ka kontribuar në përkeqësimin e shëndetit mendor të të rinjve.
Ky është një nga disa proceset që pritet të zhvillohen në javët e ardhshme në Shtetet e Bashkuara, përmes të cilave do të shqyrtohen pretendimet se platformat e kompanisë janë projektuar qëllimisht për të krijuar varësi te përdoruesit.
Padia e ngritur nga Prokurori i Përgjithshëm i Tenesit pretendon se Meta ka shkelur ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, pasi nuk e ka informuar publikun në mënyrë të mjaftueshme për rreziqet që Instagrami mund të paraqesë për shëndetin mendor të adoleshentëve.
Sipas autoriteteve, kompania dispononte studime të brendshme që evidentonin ndikimin negativ të platformës te të rinjtë, por nuk ndërmori masa të mjaftueshme për të kufizuar pasojat.
Në qendër të padisë janë funksione si luajtja automatike e përmbajtjeve, videot “Reels”, njoftimet e vazhdueshme dhe elemente të tjera që, sipas palës paditëse, nxisin përdorimin e zgjatur dhe të pandërprerë të platformës.
Meta i ka kundërshtuar akuzat, duke deklaruar se prej vitesh ka zhvilluar mjete sigurie dhe kontrolle të posaçme për adoleshentët, si edhe funksione që u mundësojnë prindërve të vendosin kufizime mbi përdorimin e Instagramit.
Kompania argumenton gjithashtu se ligji federal amerikan e mbron nga përgjegjësia për përmbajtjet e publikuara nga vetë përdoruesit.
Procesi gjyqësor pritet të zgjasë rreth shtatë javë dhe do të përcaktojë fillimisht nëse Meta ka shkelur legjislacionin e Tenesit.
Nëse juria vendos në favor të shtetit, gjykata mund të shqyrtojë vendosjen e gjobave financiare, si edhe detyrimin e kompanisë për të ndryshuar disa prej funksioneve të Instagramit.
Çështja është pjesë e një vale padish të ngjashme të ngritura ndaj Meta-s në disa shtete amerikane, lidhur me ndikimin e platformave të saj te fëmijët dhe adoleshentët.

