Kaos gjatë seancës, Kryeminstri Rama injoron opozitën, poston kantiere ndërtimi
Ajo ç’ka u pa paraditen e kësaj të enjte në parlament u injorua tërësisht nga Kryeministri Edi Rama. Ora shënonte 10:43 kur në seancë debatet ishin të larta.
Opozitarët brenda ambjenteve kishin bllokuar foltoren ndërsa ata jashtë po tentonin të hynin teksa nuk mungonin as përplasjet me gardën.
Në të njëjtën kohë kreu i qeverisë theu heshtjen, por jo me një reagim për atë çfarë po ndodhte në shtëpinë e ligjivënies.
Me një video të kantierit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas, kreu i qeverisë u shpreh se do të jetë një linjë tërësisht elektrike me një impakt të rëndësishëm në kapitullin e ri të Rilindjes Hekurudhore të vendit.
Ndërkohë, dy orë pasi demokratët deklaruan se mosbindja civile ka frikësuar qeverinë, Kryeministri sërish nuk zgjodhi të kundërpërgjigjej.
Përkundrazi, postoi një tjetër kantier ndërtimi, kësaj radhe të Urës së Bilçës në Berat, me mbishkrimin se është drejt përfundimit.
Seanca e fundit parlamentare në të cilën Kryeministri Rama mori pjesë ishte ajo e 12 shtatorit për interpelancën e thërritur nga Gazment Bardhi lidhur me skandalin e mbetjeve toksike në Tajlandë.

