Jorida Tabaku nga Shkodra: Nëse na gjen 14 maji të përçarë nuk do të shërbejë për forcimin e PD
32 vjetori i Partisë Demokratike shfaqi edhe një herë dy grupime të forta që nuk kanë mundur të gjejnë kandidatë të përbashkët në zgjedhjet e 14 majit.
Nga Shkodra Jorida Tabaku fajëson për këtë situatë kundërshtarët e mendimit ndryshe, por shton se zgjidhja e krizës së demokratëve nuk do gjendet te vendimi i gjykatës se cili do të mbajë vulën.
Edhe pse nuk foli me emër, duke iu referuar kolegëve të së njëjtës forcë politike, e pyetur nëse në këtë formë po mbahet Rama në pushtet, ajo sërish nënkuptoi hapësira për kompromis
“Duke mos sulmuar mendimin ndryshe, duke u përpjekur që të jetë ajo dora që bashkon dhe jo thika që ndan.”
Deputetët e renditur në krah të Alibeajt shpesh nga Rithemelimi akuzohen se janë shitur te qeveria, por Tabaku për ta ka argumente të tjera.
“Të qenit në opozitë e kam treguar me shembullin tim. Të qenit përballë me qeverinë dhe për 10 orë në Komisionin Hetimor të Edi Ramës. Dhe kjo nuk më bën mua pse kam mendim ndryshe as të shitur e as të blerë, më bën më parimore. Më bën dhe më të guximshme për ta thënë mendimin ndryshe.”
Nga zgjedhjet vendore ndajnë vetëm 5 muaj, por Tabaku duket se shpreson ende për kompromis duke pranuar se demokratët janë të përçarë.
“Besoj që dhe 14 maji nëse na gjen të përçarë nuk do të shërbejë për forcimin e PD. Jam e sigurt se PD do ta kalojë këtë moment të vështirë.”
Deklaratën tabaku e ka bërë nga Shkodra ku para studentëve foli mbi procesin e integrimit. Por edhe këtu ajo tërhoqi vëmendjen për pasojat e emigrimit duke shtuar se 2 nga 3 të rinj tentojnë të largohen nga vendi.
Kriza sipas saj është edhe më e thellë për shkak se ndryshimi nuk shihet më as te qeveria aktuale por edhe as te opozita.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

