Dervishi: Hetimi i Këlliçit nga policia sot, si historia e makinës së Ambasadës Belge në 1967

Gazetari Lutfi Dervishi në një postim në rrjetet sociale, ka ironizuar lajmin e sotëm të policisë për hetimin ndaj deputetit Belind Këlliçi për protestën e djeshme, 10 shkurt.
Siç edhe është fakt i njohur publik, Dervishi shkruan se, Këlliçi ndodhet në SHBA prej 10 ditësh, por policia e akuzon për përplasjet e djeshme.
Dervishi shkruan, se kjo histori i kujton atë të një hetimi të kryer në 1967, ku një i dënuar akuzohej se kishte hyrë në Thumanë me makinë e Ambasadës belge, kur në fakt marrëdhëniet me Belgjikën në Shqipëri, i vendosën në 1972.
‘Deputeti Belind Këlliçi është në SHBA prej 10 ditësh. Nuk është kthyer ende.
Por sipas policisë, ai është proceduar dhe marrë nën hetim për organizimin e protestës së djeshme në Tiranë dhe për udhëheqjen e përplasjes me forcat e rendit.
Pra, fizikisht në Amerikë. Hetimisht në Tiranë. Logjistikë kuantike.
Ky njoftim të kujton raportet e vjetra të Sigurimit. Si ai i famshmi në Mamurras, 1967, ku shkruhej: ‘Personi u fut në Thumanë me makinën e Ambasadës Belge’.
Marrëdhëniet diplomatike me Belgjikën u vendosën në vitin 1972. Pesë vite më pas.’, shkruan me ironi gazetari Lutfi Dervishi.


