Sulmi ndaj Berishës, Noka: Rama tentoi të eleminojë fizikisht opozitën, politika dhe Shqipëria s'do jenë më njësoj
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, e konsideron sulmin ndaj kreut të PD-së Sali Berisha si tentativë të kryeministrit Rama për të eleminuar opozitën.
"Ka më shumë se një vit që Rama tenton të likujdojë opozitën. Dje Edi Rama tentoi ta likujdojë fizikisht. Këtu ndal!"
Në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj ai thotë se institucionet po manipulojnë ngjarjen.
"Shqipëria mund të ketë pafund njerëz me probleme mendore por Ministria e Brendshme nuk mbledh asnjë dokumentacion të tillë. Familja e tij e mohonte që ka epikriza. Policia infiltron individë që i rekruton në bandat e krimit dhe drogës, e merr nga Tepelena dhe e sjell në Tiranë dhe e përdor, nga Kukësi në Tepelenë dhe Gjirokastër dhe i jepet ky dokumenti që gjatë një operacioni dhe po të kapet nga policia lokale të ketë dokumentin që mos të arrestohet. Kur ju dështoi kjo nxorën një letër bakalli që nuk është raport, me ligj një mjek privat nuk lëshon dot epikriza të tilla. Është dokument fake. Si ka mundësi që pas këtij ka marrë patentën?"
Referuar burimeve të tij të brendshme policore, Noka tha se "kam informacione që është shpëndarës picash, droge, i kapur disa herë dhe i rekrutuar për ti shërbyer policisë. Kjo është e vërteta. Është kapur disa herë me drogë dhe nuk ka bërë burg. Pse? Se është në mision."
Noka akuzoi se institucionet shtetërore mbajnë qëndrime politike.
"E patë deklaratën e drejtorit të policisë, kishte gjë më të turpshme? Deputeti Berisha! Zotëria e ka pasur shef, mua dhe atë. Është ish-kryeministër, ish-president, është lideri i opozitës sot do apo nuk do Rrumbullaku që lexon letra që i çon Rama, Fuga dhe Çuçi. Kjo tregon se institucionet shtetërore përzihen në politike, ai merr përsipër të tregojë kush është lider i PD dhe kush nuk është, merr përsipër të tregojë çfarë është Sali Berisha. Lexoi letrën që i çoi Edi Rama. Është vazhdim i skenarit."
Noka deklaroi se mazhoranca i ka bërë llogaritë gabim.
"Shqipëria dhe politika pas kësaj ngjarje nuk do jenë si kanë qenë deri sot. Shqipëria nuk do të jetë e njëjta pas kësaj ngjarje. Unë si opozitë dje jam vrarë, jam pushkatuar, mua më ka ruajtur Zoti. Politika nuk do të jetë më e njëjta pas 6 dhjetorit dhe Shqipëria nuk do jetë gjithashtu".

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

