Haxhimali: Shkarkimi i Erion Veliajt, lajm i mirë! E meritonte një fund të tillë, por i vonuar

Nga dita e djeshme edhe sot tema kryesore e zhvillimeve politike në vend është shkarkimi i Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës, me arsyetimin se ka mbi tre muaj në mënyrë të pandërprerë që nuk është paraqitur në detyrë, që pas arrestimit të tij me urdhër të SPAK-ut më 10 shkurt 2025.

Veliaj më herët kishte kërkuar që të marrë pjesë fizikisht në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak që do të votonte për shkarkimin e tij si kryebashkiak, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Vetë Këshilli i është përgjigjur Veliajt se mund të drejtojë me letër të gjitha mendimet dhe qëndrimet e tij lidhur me çështjen, e që do të lexoheshin në këtë mbledhje.

Opozita, ka kërkuar gjithashtu që Veliaj të ishte i pranishëm, vetëm për t’u përballur me atë dhe akuzat ndaj tij.

Eksperti për çështjet e pushtetit vendor, Agron Haxhimali në studion e lajmeve në “Ora News”, e cilësoi shkarkimin e Veliajt një lajm të mirë, por të vonuar.

Haxhimali: Shkarkimi i Erion Veliajt, lajm i mirë! E meritonte një

“Shkarkimi i Erion Veliajt është një lajm i mirë, e meritonte të shkarkohej. Së dyti, është i vonuar, pasi duhej të ishte shkarkuar shumë kohë më parë, gjatë muajit maj, kur këshilltarët e opozitës kërkuan zyrtarisht dhe të argumentuar se pse ai duhej shkarkuar.

Kjo nuk ndodhi, pasi në atë kohë u mbrojt politikisht nga kryeministri Edi Rama.

Nga pikëpamja ligjore është një vendim krejtësisht koherent, ka bazë ligjore të qartë që nuk është në punë prej më shumë se 3 muajsh. Arsyet e mosparaqitjes së tij në punë nuk i interesojnë askujt, pasi vetë legjislacioni nuk ka parashikuar arsye në shkarkim.

Nga pikëpamja procedurale se si u zhvillua mbledhja, nuk e shikoj me nota të mira. Pasi një këshill bashkiak në mes të Tiranës, duhej të ishte më i mirorganizuar dhe me një procedurë më korrekte dhe mund t’i bënte ftesë personit në fjalë për të qenë prezent.

Nuk është e ndershme që t’i thuash atij “nuk të pengon njeri të vish në mbledhje”, pasi ai nuk është aty pas dere.

Këshilli Bashkiak ka çeduar në disa raste, por në mendimin tim në këtë rast po të ishte një Këshill dinjitoz, menjëherë sapo ka mbaruar afatin 3 mujor të mos-paraqitjes duhej të ishte mbledhur vetë dhe t’i merrte vetë vendimet përmes votës”, u shpreh ndër të tjera eksperti Agron Haxhimali.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME EKSPERTIN PËR ÇËSHTJET E PUSHTETIT VENDOR, AGRON HAXHIMALI

EMISIONET