Krimet zgjedhore/ Dumani: Strategjia e SPAK ka pasur efekt parandalues, në total ka pasur 193 materiale të administruara

Kreu i SPAK, Altin Dumani, zhvilloi një takim informues me gazetarët ku në fokus ishte krimi zgjedhor dhe ecuria e hetimeve lidhur me shkeljet e raportuara gjatë fushatave elektorale.
Sipas Dumanit, “janë administruar gjithsej 193 materiale, prej të cilave, 56 kallëzime janë bërë nga subjektet politike, 1 nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në burgje, 35 nga Policia e Shtetit dhe 10 çështje janë nisur kryesisht nga vetë SPAK”.
“Si rezultat, janë regjistruar 43 procedime penale, ndërsa 39 prej tyre mbeten ende nën hetim. Janë lëshuar gjithashtu 17 urdhra kontrolli për banesa, zyra dhe persona”, të cilat, sipas Dumanit, “kanë dhënë rezultate të kënaqshme, duke sjellë në dorëzim prova të rëndësishme”.
Nga 43 vendime për mosfillim hetimi, vetëm 3 janë ankimuar në gjykatë, por të gjitha janë rrëzuar, duke konfirmuar vendimet e SPAK”.
Në lidhje me tipologjinë e kallëzimeve, Dumani u shpreh se “pjesa më e madhe e tyre kanë qenë mbi të ashtuquajturin “asfalt elektoral”, punësime të paligjshme në administratë, dhe raste të shitblerjes së votës”
Dumani sqaroi se këto kallëzime janë trajtuar dhe hetuar, por shumica nuk janë shoqëruar me prova konkrete, çka ka çuar në vendime mosfillimi, të paankimuara nga subjektet kallëzuese.
SPAK, tha Dumani, ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me përfaqësues politikë dhe me policinë, për të verifikuar çdo pretendim.

