“EKSPERIMENTI I DËSHTUAR”/ Kita: Ligji i 2015-ës dëmtoi universitetin publik! Protesta e studentëve, moment i së vërtetës

Emiliano Kita nga "Lëvizja Bashkë" në studion e “Epiqendër” në “Ora News” solli në vëmendje dështimin strukturor të reformës në arsimin e lartë, duke u fokusuar te ligji i miratuar në vitin 2015.

Sipas tij, ky ligj lindi me probleme të mëdha dhe u kundërshtua masivisht përmes protestave studentore, të cilat paralajmëruan pasojat që po përjetohen sot.

Argumenti kryesor i Kitas ishte se ligji i vitit 2015 u konceptua për t'i shërbyer interesave të universiteteve private, duke krijuar mekanizma që devijonin fondet dhe vëmendjen nga universitetet publike shtetërore.

Ai theksoi se akuzat e ngritura nga aktivistët vite më parë janë vërtetuar tashmë nga koha: universiteti publik është tkurrur dhe dobësuar, ndërsa skemat e financimit kanë krijuar pabarazi të thella. “Protesta masive e viteve 2018-2019 shërbeu si një moment i së vërtetës, ku u bë e qartë se reforma kishte dështuar jo vetëm në aspektin teorik, por edhe në zbatimin e saj praktik”, tha ai.

Kita kritikoi ashpër qasjen e Kryeministrit Rama, duke e akuzuar atë për "aventura" politike me sistemin arsimor.

Ai e cilësoi takimin e fundit të qeverisë me krerët e universiteteve si "qesharak" dhe "fyes" për botën akademike.

Sipas tij, fakti që rektorët dhe drejtuesit e universiteteve mblidhen vetëm kur thirren nga kryeministri, dhe jo për të diskutuar në mënyrë proaktive gjendjen katastrofale të arsimit, tregon shkallën e lartë të nënshtrimit të Akademisë ndaj politikës.

Në analizën e tij, Kita nënvizoi se zgjidhjet nuk mund të vijnë nga lart-poshtë, pa konsultime reale me grupet e interesit – studentët, pedagogët dhe ekspertët e fushës.

Ai argumentoi se qeveria po përpiqet të imponojë një zgjidhje tjetër të paracaktuar, pa bërë më parë një analizë të dëmeve të shkaktuara nga ndërhyrjet e mëparshme.

Për më tepër, ai theksoi se çdo reformë në arsimin e lartë është e destinuar të dështojë nëse nuk shoqërohet me një reformim rrënjësor të sistemit parauniversitar, pasi problemet në universitet janë shpesh pasojë e defekteve në hallkat e mëparshme të edukimit.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR” NË “ORA NEWS”

EMISIONET