DOSJA/ “Tentakulat” e Ajola Xoxës deri te landfilli i Sharrës

Ajola Xoxa na ka treguar se si arti përdoret si mekanizëm për korrupsion dhe pastrim parash, përmes skemave që ka ndërtuar me OJF-të e saj.

Mediat kane sjellë, në fakt, prej vitesh, përmes denoncimeve dhe investigimeve, skemat e pastrimit të parave dhe të korrupsionit të bërë nga dyshja Veliaj-Xoxa dhe vijon ende të zbulojë detaje që tregojnë se kryebashkiaku dhe bashkëshortja e tij janë të zhytur thellë në korrupsion dhe afera.

Në vendimin e SPAK-ut, CNA ka gjetur një tjetër detaj që lidh Ajola Xoxën me landfillin e Sharrës.

Çfarë u zbulua?

Një nga personat kyç për hetimet ka rezultuar të jetë shtetasi Erald Ismaili.

Erald Ismaili është personi, i cili në dosje del si njeriu që Ajola Xoxa e përdorte për të kryer blerjet me shuma marramendëse, që në fund ashtu siç raportoi dhe SPAK-u kapnin shifrën e 86,721,175 lekëve.

Më datë 03.03.2025, Erald Ismaili është pyetur si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit.

Gjatë marrjes në pyetje, ashtu siç dhe nënvizohet në vendimin e SPAK-ut, del një detaj mjaft interesant që e lidh Ajola Xoxën me landfillin e Sharrës.

Erald Ismaili ka shpjeguar se “MEG Albania”, një kompani që operonte në fushën e riciklimit dhe mbetjeve, i ishte referuar nga bashkëshortja e kryebashkiakut Veliaj, Ajola Xoxa, dhe Klotilda Bushka e Komisionit të Ligjeve.

Sipas deklarimeve të Erald Ismailit, klienti Vladimir Fezga, i cili ishte dhe pronari i “MEG Albania”, kishte shkuar në zyrën e Ajola Xoxës për të hapur biznes në as më pak e as më shumë se në landfillin e Sharrës.

Fezga kishte shkuar në zyrën e Ajolës për të marrë leje mjedisore të tipit B.

Ai kishte përgatitur dokumentacionin, kishte siguruar ekspertin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis dhe kishte bërë aplikimin në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.

Pas marrjes së lejes, ai mbante mend se aktiviteti i shoqërisë “MEG Albania” kishte filluar, por nuk kishte informacion se sa kishte vazhduar.

“Për rastin e shoqërisë ‘MEG Albania’, Erald Ismaili shpjegoi se kjo kompani i ishte referuar nga Ajola dhe Klotilda.

Klienti Vladimir Fezga kishte ardhur në zyrën e Ajolës për të hapur biznes në landfillin e Sharrës dhe për të marrë leje mjedisore të tipit B.

Ai kishte përgatitur dokumentacionin, kishte siguruar ekspertin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis dhe kishte bërë aplikimin në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit. Pas marrjes së lejes, ai mbante mend se aktiviteti i shoqërisë ‘MEG Albania’ kishte filluar, por nuk kishte informacion se sa kishte vazhduar”, thuhet në vendimin e SPAK-ut.

Çfarë rezulton?

Sipas edhe denoncimeve dhe raportimeve në media nga të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, rezulton se shoqëria “MEG Albania” u pajis me leje mjedisi për të kryer riciklimin e mbetjeve urbane në landfilin e Sharrës, vetëm dy muaj pasi kjo kompani kishte nisur punën.

Vladimir Fezga dhe kompania e tij “Meg Albania”, që përfituan nga Veliaj kontratën për riciklimin e mbetjeve në Sharrë, ishin njohje e mëhershme e tij.

Pra, Ajola Xoxa është njeriu i përfshirë direkt apo indirekt në çështjen e landfillit të Sharrës, sepse Erald Ismaili ka thënë se kompanitë nuk janë të tijat, por të Ajola Xoxës dhe kjo e fundit është njeriu që ka përgatitur dokumentet. Nuk dihet deri ku shkon rëndësia e saj dhe sa është përfshirë, por kemi këtë fakt dhe fakte të tjera që e lidhin Ajolën me këto skema./ Marrë nga "CNA.al"

EMISIONET