DOKUMENTI/ Lidhja mes biznesmenit të ndërtimit Gentian Sula dhe kryebashkiakut Erion Veliajt nisi me apartamentin e Ajola Xoxës te “Kodra e Diellit”

Në Prokurorinë e Posaçme për çështjen e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili po hetohet për 4 vepra të dyshuara penale, është thirrur pak ditë më parë edhe biznesmeni Gentian Sula, i njohur si pronar i “Agi Kons”.
Ai është paraqitur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethana të një procedimi penal të nisur nga SPAK-u dhe marrja e tij në pyetje besohet se ka qenë për banesën e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.
Ky i fundit ka deklaruar se prej vitesh jeton në rezidencën “Kodra e Diellit”, e investuar nga kompania e Gentian Sulës.
Por si qëndron e vërteta e apartamentit te “Kodra e Diellit” që në fakt është në pronësi të bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa?
“Ora News” ka siguruar dokumentin e kontratës së shit-blerjes së nënshkruar mes Xoxës dhe kompanisë “Agi Kons” të biznesmenit Gent Sula që mbase dëshmon edhe mënyrën se si funksionon prej vitesh lidhja mes çiftit Veliaj-Xoxa dhe Gentian Sulës.
Kompania e mësipërme në fakt rezulton të ketë shitur apartamentin prej 162 m2 dhe 23.4 m2 verandë fillimisht të Ajola Xoxa dhe dy prindërit e saj me përkatësisht 33 për qind të aksioneve secili.
Sipas kësaj kontrate i gjithë apartamenti i kalon bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë në 26 korrik të vitit 2016, ndërsa po aty thuhet se marrëveshja e sipërmarrjes është firmosur në vitin 2012 kundrejt një shume prej 88 641 euro.
Më konkretisht, rezulton se çmimi i deklaruar për apartamentin është rreth 547 euro m2 pa llogaritur këtu verandën.
Dhe pyetja që ngrihet në këtë rast çfarë interesi kishte biznesmeni Sula që nënshkroi një kontratë me një çmim të tillë me Xoxën?
Dhe për të kuptuar më shumë mbi këtë mbetet për t’u parë se çdo të ndodhë me hetimet e nisura nga SPAK për pasurinë e kryebashkiakut të Tiranës.
Gjithsesi vlen të kujtojmë se për këtë marrëveshje të dyshimtë, apo për këtë kontratë si dhe për pasurinë e Veliajt dhe Xoxës, rrjeti investigativ “BIRN” në 28 korrik të vitit 2019 do të publikonte një artikull ku shprehet se nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë u identifikuan “flamuj të kuq”, që lidhen kryesisht me pasuritë e patundshme në pronësinë e Veliajt dhe të bashkëshortes së tij.
“Në deklaratën e tij të parë në vitin 2013, Veliaj deklaron blerjen e një apartamenti në Tiranë me vlerë 5.1 milionë lekë dhe me burim shitjen e apartamentit të prindit dhe kursimet nga paga. Gati tre javë pas blerjes, apartamenti rivlerësohet në vlerën e 12.8 milionë lekëve ose 7.6 milionë lekë më shumë se çmimi i blerjes.
Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar lidhet me një kontratë sipërmarrjeje për ndërtimin e një apartamenti me sipërfaqe 171 m2 dhe verandë 19 m2 me vlerë 88 641 euro, ku Ajola Xoxa zotëronte si pjesë takuese 33%. Akti i shitjes finalizohet në vitin 2016 dhe Xoxa bëhet pronare me 100%, ndërkohë që në deklaratat e pasurisë mungojnë të dhënat për burimin e kësaj prone dhe mënyrën se si ajo është paguar.
Gjithashtu në vitin 2016, kryebashkiaku deklaron marrjen e një kredie prej 6.1 milionë lekësh, pa deklaruar të dhëna mbi qëllimin apo destinacionin e saj”, raportonte BIRN në atë kohë.
Megjithatë bashkëpunimi me “Agi Kons” duket se vijon më tej.
VIDEO - 6 janar 2025 Ndërtuesi i banesës së Veliajt,Gentian Sula 3 orë në SPAK



