Dita e Çlirimit/ Krerët e shtetit homazhe në Varrezat e Dëshmorëve: “Lavdi Dëshmorëve të Atdheut!”
Shqipëria feston sot 81-vjetorin e çlirimit, njëkohësisht ditë kujtese e sakrificës sublime për mijëra të rinj e të reja që ranë heroikisht në emër të lirisë.
Për të përkujtuar këtë ditë, autoritetet më të larta të vendit bënë sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.
Në ceremoni ishin të pranishëm Presidenti Bajram Begaj, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, kryetarja e komanduar e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, drejtues vendorë, veteranë, familjarë të dëshmorëve etj.
Duke u përulur me respekt në përkujtim të Dëshmorëve të Atdheut, ata vendosën kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”.
Presidenti Bajram Begaj është shprehur se “sot përkulemi me nderim para sakrificës së popullit tonë dhe dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore, që dhanë jetën për lirinë dhe çlirimin e atdheut.

“Gëzuar festën e Çlirimit, Shqipëri! Dje, sot dhe përgjithmonë besnikë ndaj të njëjtave vlera”, uron Kreu i Shtetit duke theksuar se “guximi, qëndresa dhe gjaku i tyre janë themelet mbi të cilat qëndron liria jonë”
“Mirënjohja jonë nuk është vetëm kujtesë historike, por detyrim i përditshëm për të mbrojtur lirinë, dinjitetin njerëzor dhe paqen”, deklaron Presidenti Begaj.
HISTORIA
29 nëntori i vitit 1944 ka hyrë në histori si dita e Çlirimit të vendit nga pushtuesit gjermanë.
Pas çlirimit të Tiranës më 17 Nëntor 1944, komanda e përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Tiranë, do të njoftonte zyrtarisht dhe çlirimin e Shkodrës, 81 vjet më parë, më 29 nëntor të 1944-ës.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është një ndër ngjarjet më të lavdishme të vendit tonë, jo vetëm pse u çlirua vendi nga okupatori nazifashist, por kjo fitore e radhiti Shqipërinë në krahun e forcave fituese të luftës, krah aleatëve të mëdhenj: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik.
Në këtë mënyrë do të mbyllej njëherë e përgjithmonë lufta epike Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar. Disa nga rëndësitë thelbësore të kësaj lufte, ishin largimi i pushtuesve italianë dhe gjermanë, shkëputja e Shqipërisë nga blloku nazifashist dhe ripohimi i integritetit territorial të vendit, i cili prej kohësh ishte parë si objekt copëtimi nga Fuqitë e Mëdha dhe vendet fqinje.
Çlirimi i Shqipërisë, ndryshe nga vendet e tjera ballkanike, u bë pa ndihmën e Ushtrisë së Kuqe. Lufta e popullit shqiptar ishte më gjithëpërfshirësja në historinë e tij, sa i përket numrit të njerëzve që morën pjesë dhe e mbështetën atë dhe sa i përket përfshirjes territoriale të Shqipërisë.

Nga jugu në veri, thuajse të gjitha krahinat, qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë u mobilizuan duke dhënë mbështetjen e tyre në luftën kundër trupave pushtuese. Në këtë mënyrë Shqipëria u bë pjesë e koalicionit euroatlantik antifashist, pjesë e të cilit është edhe sot si vend anëtar i NATO-s.
Misionet e huaja të vendeve aleate kanë dhënë kontributin e tyre gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Misioni i parë britanik kryesohej nga majori Billi Maklin. Në tetor 1943, Drejtoria e Operacioneve Speciale mori udhëzim të dërgonte në Shqipëri një mision të nivelit të lartë, të kryesuar nga gjeneral brigade Edmond Dejvis, i cili do të bashkërendonte punën e grupeve angleze, që vepronin në Shqipëri.

Pas kapjes rob të Dejvisit misioni britanik u plotësua nga Norman Wheeler dhe Alan Palmer. Kryetar i Misionit Ushtarak Amerikan në Shqipëri ka qenë Thomas Stefan, ndërsa majori Ilia Ivanov ka qenë kryetari i Misionit Ushtarak Sovjetik.



