PRESIDENTI: KOHA PËR BASHKIM! Kreu i Shtetit pritje zyrtare për Festën e Flamurit: Bashkë drejt BE-së
Presidenti Begaj kërkoi bashkimin e të gjithë faktorëve politikë e shoqërorë për të çuar përpara integrimin europian, duke theksuar rëndësinë e kulturës së përbashkët politike, mbështetjes për Kosovën dhe rolit strategjik të Shqipërisë. Pritja zyrtare për 113-vjetorin e Pavarësisë në Pallatin e Brigadave bëri bashkë krerët e shtetit të Shqipërisë e Kosovës, diplomatë dhe personalitete të jetës publike, ndërsa mungesa e opozitës ra në sy.
Përvjetori i 113 i Pavarësisë bëri bashkë krerët e Shtetit të Shqipërisë e Kosovës, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, drejtues të institucioneve, njerëz të medias, biznesit, artit e kulturës në pritjen zyrtare në Pallatin e Brigadave, organizuar nga Presidenti Bajram Begaj.
Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe përfaqësuesit në Tiranë të SHBA e BE, iu bashkuan atmosferës kuqezi për të kremtuar ditën përbashkuese të shqiptarëve, dhe për të festuar me disa nga ata që përfaqësojnë njerëzit që punojnë çdo ditë për aspiratat e vendit në sektorë të ndryshëm, por ra në sy mungesa e opozitës.
Dhe Kreu i Shtetit, Bajram Begaj në mesazhin e tij foli rëndësinë e një kulture të përbashkët politike, dhe angazhim të përbashkët nga institucionet tek qytetarët e thjeshtë në prioritetet kombëtare
Presidenti i cilësoi historike arritjet e Shqipërisë në rrugën e Integrimit Europian, ndaj edhe ngulmoi në nevojën e bashkëpunimit pa kufi për të përmbushur këtë objektiv.
Begaj vuri theksin tek roli i Shqipërisë në rajon dhe theksoi partneritetin strategjik me Shtetet e bashkuara
Kreu i Shtetit shqiptar, rikujtoi se mbështetja e Kosovës është përgjegjësi kombëtare.
Risolli amanetin e etërve të Pavarësisë për ruajtjen e identitetit dhe mbrojtjen e lirisë, por duke e vënë në kohën që po jetojmë tha se detyra tani është ndërtimi i një Shqipërie moderne, të drejtë dhe evropiane.
Dhe në fund kreu i Shtetit ngrit një dolli me tre shëndete, sipas traditës
Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale e cilësoi një mbrëmje të bukur me praninë kuptimplotë të Presidentes së Kosovës, e cila e kremtoi në Shqipëri Ditën e Flamurit.


