Celibashi "rrëzon" Bashën që nuk solli autorizimin, PD jashtë zgjedhjeve të 14 majit

Partia Demokratike është lënë jashtë zgjedhjeve të 14 majit. Ky ka qenë vendimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili nuk pranoi asnjë prej kërkesave të dy grupimeve. Teksa ka njohur ligjërisht vetëm kërkesën e Alibeajt, këtë të fundit nuk e njeh si kryetar të PD duke këmbëngulur se mungon deklarata solemne e firmosur nga Lulzim Basha se nuk do përfshihej në shitblerjen e votës.

Pas një orë debat kryekomisioneri Ilirjan Celibashi vendosi të mos regjistrojë as Sali Berishën dhe as Enkelejd Alibeajn në zgjedhjet e 14 majit.

Celibashi: Në kushtet kur deklarata nuk është sipas përcaktimeve ligjore unë vlerësoj që kërkesa e PD për tu regjistruar si subjekt zgjedhor nuk ka bazë ligjore dhe nuk duhet të pranohet. Është e qratë që PD nuk mund të regjistrohet si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e 14 majit 2023. Kjo vendimmarrje është terësisht në vlerësimin ligjor të fakteve dhe në interpretim të bazuar në bindjen time të brendshme të ligjit zgjedhor mbi procedurat për regjistrimin e një partie politike si subjekt zgjedhor. Nuk ka asnjë interes politik.

Shkak sipas tij ishte mungesa e deklaratës solemne e firmosur nga Lulzim Basha se nuk do përfshihej në shitblerjen e votës.

Celibashi: Nënshkrimi nga nënkryetari Alibeaj me delegimin e Lulzim Bashës nuk ka bazë ligjore. Ky angazhim është përgjegjësi personale e kryetarit të partisë. Deklarata solemne që nuk angazhohet në blerje të votave apo manipulim të zgjedhje duhet të firmoset nga kryetari. 

Madje ai shprehet se dorëheqjen Basha do të duhej ta kishte depozituar në KQZ.

I menjëhershëm ishte dhe reagimi i Gazment Bardhit dhe Enkelejd Alibeajt, që akuzuan për njëanshmëri dhe mos respektim ligji.

Më tej në facebook ata shprehen se do të ndjekin rrugën ligjore.

Por për mediat Celibashi shton se ka zbatuar ligjin.

Celibashi: Nuk jam i shantazhueshëm por kam gjithë dedikimin për të respektuar ligjin. Zbatimi i ligjit dhe korrektësia në zbatimin e tij ka qenë shtylla kurrizore e performancës time profesionale. Më vjen keq për zotin Bardhi,të them se ka arsye pse ai ligjërisht ai e shikon vendimin tim të pambështetur është komplet e papranueshme gjuha që ai përdor. Si mund të aludojë se e ka marrë në shantazh Celibashi këtë vendim? Si mund ta thotë në mënyrë kaq të papërgjegjshme? Nuk i bën nder atij. Nuk e gjen gjë të thotë që vendimi nuk ëShtë marrë në përputhje me kodin, ligjin zgjedhor apo çfarëdo ligji tjetër.

Tashmë do të jetë KAS struktura e radhës ku do të ankimohet vendimi, e më tej Kolegji Zgjedhor.

Ndërsa Alibeaj vazhdon të ketë të drejtën të përfaqësohet me komisionerët në Qendrat e Votimit dhe të Administrimit të Zgjedhjeve.

EMISIONET