PS e miratoi mes tymit dhe flakës Buxhetin, PD e Bashës “kujtohet” të kërkojë ndryshime në Kuvend
Partia Demokratike ka prezantuar një nga tetë amendamentet e paraqitura në Kuvend për ndryshime në Projekt Buxhetin për vitin e ardhshëm. Përmes një deklarate për mediat, deputetja Merita Bakiu, tha se propozohet rritja e buxhetit deri në masën 5 përqind të GDP për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Sipas saj, “efekti financiar do të përballohet nga ulja e shpenzimeve operative të qeverisë, investimeve jo prioritare, kontratave koncesionare/PPP”
Të nderuar qytetarë, dje u kalua për 5 minuta buxheti i vitit 2024. Ky buxhet nuk është gjë tjetër vetëm një buxhet dhe paketë fiskale që nuk mbështet ekonominë reale. Nuk mbështet sipërmarrësin dhe profesionistin e lirë, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, turizmin, pensionitët, shtresat në nevojë, ish të përndjekurit, rininë. Ky buxhet mbështet vetëm oligarkët.
Partia Demokratike ka paraqitur 8 amendamente të cilat synojnë që ky buxhet të kthehet në shërbim shqiptarëve. Personalisht, si anëtare e Komisionit për Arsimin, kam depozituar një amendament që kërkon rritjen e fondeve për arsimin.
PËR DISA NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN “PËR BUXHETIN E VITIT 2024”
Në mbështetje të nenit 75, pika 4 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, deputetja z. Merita Bakiu propozon,
Në projektligjin “Për Buxhetin e Vitit 2024”, të bëhet ndryshimi, si më poshtë vijon:
Në projektbuxhet tabela 1, totali i buxhetit të planifikuar në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë është në vlerën 52223 milion lekë, të bëhet në vlerën 104444 milion lekë.
Ky ndryshim pasqyrohet në të gjitha nenet, tabelat dhe anekset shoqëruese të ligjit.
Arsimi është një nga sektorët më të rëndësishëm. Rritja e financimit të këtij sektori është jetik. Prej vitesh arsimi ka qenë i nënfinancuar krahasuar me nevojat reale. Me qëllim rritjen e cilësisë së mësimdhënies në të gjitha nivelet, rritjen e investimeve në infrastrukturë (shkolla e kopshte), rritjen e konsiderueshme të pagave të stafeve akademike, rritjen e financimit të studentëve për të përballuar efektet e rritjes së çmimeve, propozojmë rritjen e buxhetit deri në masën 5% të GDP-së për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Efekti financiar në Buxhetin e Shtetit do të përballohet nga ulja në të njëjtën masë e shpenzimeve operative të qeverisë, investimeve jo prioritare, kontratave koncesionare/PPP dhe shpenzime rikonstruksion zyrash dhe mobilim.