Buxheti 2026/ Ministri i Bujqësisë: Do të ketë mbështetje historike për bujqësinë dhe zhvillimin rural

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi në Kuvend se bujqësia do të ketë në vitin 2026 financimin më të lartë ndonjëherë, me një fond prej 16.3 miliardë lekësh.
Sipas tij, rritja prej 11.3% e buxhetit synon të përgatisë sektorin për standardet e Bashkimit Evropian deri në vitin 2027.
Salla shtoi se buxheti i vitit të ardhshëm parashikon investime në qendra grumbullimi, sisteme digjitale, laboratorë dhe projekte për gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore.
Më tej ministri tha se programi i zhvillimit rural përfshin 7.7 miliardë lekë për skemat kombëtare dhe grantet e investimeve, ndërsa mbështetja për fermerët arrin rreth 1.5 miliardë lekë në vit.
Sakaq sipas Ministrit, paketa financiare përfshin gjithashtu kompensimin 10% të TVSH-së, garancinë sovrane dhe kreditë e buta për fermerët.
Sektori i peshkimit do të ketë një rritje prej 10% të fondeve, ndërsa investimet në ujitje e kullim arrijnë në 3.6 miliardë lekë, duke synuar rritjen e prodhimit dhe menaxhimin më të mirë të përmbytjeve.
Salla theksoi se ky buxhet përfaqëson një instrument strategjik që synon modernizimin e bujqësisë dhe përafrimin e saj me standardet e BE-së, si dhe përgatitjen për fondet e pasanëtarësimit në vitin 2030.
“Projektbuxheti i vitit të ardhshëm rrit mbështetjen për fermerët, përpunuesit dhe peshkatarët me 11,3% krahasuar me vitin 2025, duke i vendosur sektorin në shinat e përgatitjes për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2027”, deklaroi ministri Salla në fjalën e tij në Kuvend ku po diskutohet në parim projektbuxheti 2026.
Ky buxhet nuk është thjesht një tabelë shifrash, është një paketë që e çon bujqësinë shqiptare një hap përpara drejt BE-së.
Peshkimi dhe akuakultura mbeten një prioritet tjetër i buxhetit, me financim 10% më të lartë në vitin 2026, duke u fokusuar në përdorim të përgjegjshëm të burimeve dhe përputhje me politikën e përbashkët të peshkimit të BE-së”, shtoi Salla.
Për infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit, buxheti parashikon mbi 3,6 miliardë lekë, ose 26,4% më shumë sesa në vitin 2025, duke synuar rritjen e prodhimeve bujqësore dhe menaxhimin e përmbytjeve.
Të miratojmë këtë buxhet do të thotë të zgjedhim prodhimin, cilësinë dhe eksportet, të zgjedhim që bujqësia shqiptare të ecë përpara”, deklaroi Salla.

